Zbulohet identiteti dhe lidhja tronditëse e disa prej serbëve të arrestuar në Kosovë me grupin terrorist të Banjskës, përgjegjës për sulmin ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se 16 shtetas serbë janë ndaluar nga forcat e rendit në Prizren dhe Gjakovë, të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë.
Sipas të dhënave fillestare, grupet kishin për qëllim grumbullimin e informacioneve për caqe të mundshme në territorin e Kosovës. Hetimet e para zbulojnë lidhje të tyre me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe dhe me pjesëtarë të grupit terrorist që kreu sulmin e përgjakshëm në Banjskë më 24 shtator 2023.
Njëri nga të arrestuarit është togeri i policisë serbe, me lidhje të afërta familjare me Nemanja Radivojeviq, i njohur me nofkën “Gandi” – anëtar i grupit terrorist të Banjskës.
Radivojeviq është i afërm i Vladimir Radivojeviq, nofka “Mami”, i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit Bunjaku.
Po ashtu, kapiteni i klasit të parë i ushtrisë serbe, i cili ishte pjesë e grupit të arrestuar, rezulton të jetë i lidhur me ish-gjeneralin e inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanoviq, i njohur për rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve në Serbi.
ALARM NGA KOSOVA
Ky operacion vjen në vazhdën e një klime të tensionuar të sigurisë, pas sulmeve të vazhdueshme në pjesën veriore, përfshirë hedhjen e dy granatave dore në Zveçan më 1 prill.
Zyra e Postës në Zveçan, objektiv i sulmit, është tashmë funksionale, por këto veprime kanë shtuar vigjilencën dhe thirrjet për mobilizim të të gjitha strukturave të sigurisë.
“Kërkohet vigjilencë e shtuar – kërcënimi është real”, ka paralajmëruar Sveçla/ TelegramiSot