Avdullah Hoti kërkoi ndërrim të lidershipit në LDK dhe nxiti një mori reagimesh nga zyrtarë brenda partisë.
Vetë kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku është përgjigjur thjesht me një fotografi, por zyrtarë të tjerë të LDK-së kanë qenë të zëshëm kundër kësaj ideje.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka shkruar se LDK nuk i takon funksionarëve por anëtarësisë së saj.
Ai ka thënë se kryetari i LDK-së, Abdixhiku, ka ardhur nga një Kuvend i jashtëzakonshëm, si pasojë e rezultatit më të rëndë historik, e që sipas tij ishte Kuvend i përballimit të situatës së jashtëzakonshme, me frymë unifikuese e me rrugëtim të përbashkët.
“Ndonëse ishte një fushatë e jashtëzakonshme e një mobilizim i madh, rezultati nuk ishte ai që e deshëm. Por, duhet ta ritheksojmë një të vërtet të madhe se betejat e fituara nuk ta garantojnë luftën politike, e aq më pak betejat e humbura të atyre që sillen sikur LDK-së i ka ra morti”, ka shkruar Haziri në Facebook.
Kurse nënkryetari tjetër i LDK-së, Imri Ahmeti, i ka quajtur qesharake deklaratat e Avdullah Hotit, i cili ka siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Ai tha se është kërkesë për PR dhe jo reale dhe se lidershipin e LDK-së e kanë të zgjedhur për një kohë të gjatë.
“Është kërkesë më tepër për PR politik, se sa kërkesë reale, në fakt edhe qesharake. Janë strukturat e partisë, është Kuvendi, Këshilli i Përgjithshëm i partisë dhe kur të dojë ai dhe kur të dojë shumica e këtij Këshilli, këtij Kuvendi, mund të organizohet një kuvend i tillë. Mendoj që lidershipin e LDK-së e kemi të zgjedhur për një kohë të gjatë dhe nuk e kemi asnjë lloj kontesti. Individët janë individë”, tha Ahmeti.
Në fakt ai ka mundur që këto pakënaqësi t’i adresojë në organet e partisë e jo në media, i ka adresuar disa shqetësime por jo të nivelit të tillë çfarë i ka bërë sot”, theksoi ai për Gazeta Blic.
Ndërsa, lidhur me deklaratën për keqpërdorime me vota të diasporës, Ahmeti tha se është absurde kërkesa e Hotit. “E paimagjinueshme ideja e tillë e profës, për gjithë respektin që kam ndaj tij, për mua është absurde kjo kërkesë, shumë qesharake çfarë ka kërkuar”, deklaroi Imri Ahmeti.
“Lërkesë qesharake” deklarimin e zyrtarit të kësaj partie, Avdullah Hoti, që të ndërrohet lidershipi i partisë e ka quajtur edhe nënkryetarja tjetër e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.
Ajo ka deklaruar për KOHËN se strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë Lumir Abdixhikut si kryetar i partisë, duke shtuar se ai “e ktheu në trendin më të madh historik të ngritjes”.
“Si nënkryetare e LDK, deklaroj se kjo është kërkesë qesharake. Strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë kryetarit aktual të partisë, i cili partinë e mori me rënien më të madhe historike në 12%, dhe e ktheu në trendin më të madh historik të ngritjes (me 70% rritje)”, ka thënë ajo të martën.
Por një vije me Hotin është edhe ish-deputeti i LDK’së, Agim Veliu. Veliu përmes një shkrimi në Facebook thotë se lideri i partisë po e dërgon në ‘theqafje një familje të madhe politike’.
Ai madje i kritikoi edhe ata që po e mbrojnë liderin e partisë, Lumir Abdixhiku. Veliu tha se janë për keqardhje ta mbrosh dikë që një parti politike po e çon drejt degradimit.
“Të jesh i pafuqishëm të ndryshosh gjendjen në shtëpinë politike, ku kryefamiljari (kryetari) të ka afruar formalisht “afër” vetës nuk është edhe shumë tragjike.
Është për keqardhje të detyrojnë, apo të vetëdetyrohesh për t’ia mbajtur ison shefit dhe të dalësh publikisht e ta mbrosh “liderin” që po e dërgon në theqafje një familje të madhe politike, që për 35 vite ishte shembull i demokracisë dhe meritokracisë”, tha ai.
Këto pakënaqësi siç raportoi dje gazeta online Reporteri.net janë shfaqur në mbledhjen e Kryesisë së kësaj partie të hënën e 10 marsit.
Reporteri.net merr vesh kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka marrë shumë kritika për orientim të votës, e kryesisht të votës se mërgimtarëve.
Sipas një burimi të gazetës brenda kryesisë së LDK-së, në mbledhjen që zgjati me orë të tëra shumë prej anëtarëve të Kryesisë së LDK-së ishin shumë kritik.
Po sipas këtij burimi, në mbrojtje të Abdixhikut atë ditë I zëshëm ishte vetëm kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Por në publik për këto pakënaqësi foli Avdullah Hoti. Ai për rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit ka thënë se nuk është i kënaqshëm, dhe as i përafërt me atë që kanë shpresuar si parti përgjatë këtyre katër viteve përgatitjeje
Ai ka numëruar edhe disa faktorë si, “opozitarizmi që kemi bërë në katër vitet e fundit, riorganizimi i shumë degëve të LDK-së pas zgjedhjeve të vitit 2021, zgjedhjet e brendshme të LDK-së të vitit 2023 dhe programi, ekipi dhe qasja që kemi ofruar gjatë 30 ditëve të fushatës zgjedhore dhe disa muajve para fushatës”, siç thotë ai s’jaftuan për të bindur qytetarët./Reporteri.net/