Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka kërcënuar protestuesit në Serbi me ndërhyrje ushtarake. Këtë ai e tha mbrëmë në mbledhjen e Partisë Progresive Serbe, të cilën e drejton vet dhe e cila është në pushtet.
Vuciq ka vazhduar që protestat që po mbahen tash e sa kohë në Serbi, t’i quajë revolucion me ngjyra.
“Kanë mbetur edhe katër ditë deri në tentativën e tyre për revolucion dhe përmbysje të rendit kushtetues, që është një nga veprat penale më të rënda në Serbi”, ka thënë Vuciq.
Madje, ai ka kërcënuar protestuesit se nëse e rrëzojnë presidentin, do të përballen me ushtrinë dhe gjithçka tjetër.
“Kërkesa kryesore pas marrjes së institucioneve do të jetë formimi i një lloj qeverie tranzitore. Ata nuk mund ta rrëzojnë presidentin, sepse e dinë se kjo do t’i sjellë në konflikt me ushtrinë dhe gjithçka tjetër”, tha Vuçiq.
Vuçiq tha se, “përderisa të jetë gjallë”, nuk do të pranojë asnjë qeveri tranzitore, se “do të duhet ta vrasin” dhe se ky është zotimi i tij dhe se “nuk do t’ua dorëzojë vendin mashtruesve”, gjë që u prit me ovacione dhe duartrokitje.
Që nga nëntori i vitit 2024, Serbia është tronditur nga protesta masive kundër korrupsionit, të shkaktuara nga shembja e një tende stacioni treni në Novi Sad, duke vrarë 15 persona. Protestat filluan në Novi Sad dhe së shpejti u përhapën në Beograd dhe qytete të tjera, duke mbledhur mijëra qytetarë duke kërkuar që autoritetet të mbajnë përgjegjësi për aksidentin dhe të luftojnë korrupsionin
Studentët morën një rol drejtues në organizimin e protestave, duke përdorur kanalet digjitale të komunikimit për mobilizim. Gjatë janarit 2025, protestat u intensifikuan, duke përfshirë bllokimin e rrugëve kryesore në Beograd dhe qytete të tjera. Pavarësisht dorëheqjes së kryeministrit Millosh Vuçeviç në fund të janarit, protestat vazhduan, me synim arritjen e ndryshimeve më të thella politike dhe luftimin e korrupsionit. ,
Për 15 mars 2025 është paralajmëruar një protestë e madhe në Beograd, ku pritet një tubim masiv i qytetarëve nga mbarë vendi për të shprehur pakënaqësinë për situatën aktuale politike dhe për të kërkuar ndryshime. /Vijesti