Një 42-vjeçar mbeti i vrarë sot në Skenderaj. Tashmë janë identifikuar dy të dyshuar, të cilët gjenden në arrati.
Telegramisot mëson jozyrtarisht se motivi i vrasjes se babait të 5 fëmijëve është konflikt për një cope tokë.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka thënë se rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë”.
Preteni bëri të ditur se në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i rastit.
“Prokurori i rastit nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë menjëherë në vend ngjarje ku është konstatuar se një person ka mbetur i vrarë. Rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë” dhe dy persona të dyshuar janë identifikuar dhe të njëjtit ndodhen në arrati”.
Zëdhënësi i Policisë rajonale të Mitrovicës, Avni Zahiti, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se vrasja ka ndodhur rreth orës 13:50 në një lokal në rrugën “Sala e Hamit Jashari”.
“Sot më, 12 shkurt 2025, rreth orës 13:50 policia në Skenderaj ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Sala e Hamit Jashari” në Skenderaj. Sipas informatave fillestare të shtënat kanë ndodhur brena një lokal ku si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit dhe plagëve të pësuara ka humbur jetën viktima mashkull i moshës rreth 42 vjeçar, shtetas i Republikës se Kosovës. Rrjedha hetimore po zhvillohet ne drejtim te identifikimit dhe arrestimit të një personi të dyshuar”,
Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë shtesë për rastin, ku tregohet se tashmë është arrestuar edhe personi i dytë, i dyshuar për këtë vrasje.
I dyshuari është B.I, 33-vjeçar, arrestimi i tij ka ndodhur në Prishtinë.
Tutje, policia njofton se atij i sekuestruar prova materiale të cilat ndërlidhen me rastin.
“Komunikatë shtesë-Vrasje e rëndë Në lidhje me rastin-Vrasje e rëndë, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Mitrovicë Jug, pas veprimeve intensive kanë arritur të identifikojnë lokacionin dhe të arrestojnë edhe personin e dytë të dyshuar për këtë rast. I dyshuari B.I., mashkull, 33 vjeç është arrestuar në Prishtinë dhe tek ai janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale të cilat ndërlidhen me rastin. Në këtë rast, hetuesit në koordinim me prokurorin janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme proceduralo-hetimore për ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë.