Në dy lokacione të ndryshme në Karaçevë, janë vendosur objekte ku zhvillohen lojëra të fatit, të cilat janë të kundërligjshme. Për mosmbylljen e këtyre objekte, Policia e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje.
Flamuri i Republikës së Kosovës, po valvitet në fshatin Karaçevë të Kamenicës.
E përballë tij, po zhvillohen veprimtari të kundërligjshme.
Këto janë objekte ku zhvillohen lojëra të fatit, veprimtari e cila është e ndalur me ligj që nga viti 2019.
Megjithatë, ato vazhdojnë punën në dy lokacione të ndryshme, pak metra larg njëra tjetrës.
Këto objekte ishin rrënuar si rezultat i një aksioni policor rreth ktër vite më parë, por që tani janë funksionalizuar sërish.
Në këtë aksion ishin arrestuar dy persona, u rrënuan tri objekte dhe u konfiskuan 96 aparate të lojërave të fatit që funksiononin ilegalisht.
Teve1 ka tentuar të marrë përgjigje nga Policia e Kosovës se pse nuk janë mbyllur këto kazino, por nuk ka marrë përgjigje.
Një reagim i Policisë në terren në të tilla raste, vlerësohet si i domosdoshëm.
“Pa marrë parasysh, në tërë territorin e Kosovës, Policia duhet të veprojë konform ligjeve dhe rregullave, por edhe në koordinim më KFOR-in, në mënyrë që kazinot e tilla të cilat janë të dëmshme për rrethin ku jetojmë duhet të veprohet, të mbyllen dhe ndaj personave të tillë, të cilët në mënyrë ilegale mbajnë kazino dhe veprojnë në mënyrë ilegale, në kundërshtim me ligjin të ndërmerren masat përkatëse”, thotë nënkoloneli ne pension i PK-së, Refki Morina
Televizioni mëson se mungesa e reagimit policor në terren, është për shkak të mungesës së kompetencave për këtë pjesë të territorit, për të cilin nuk është bërë demarkimi që të dihet vija ndarëse mes Kosovës dhe Serbisë.