I akuzuari për një vrasje në vitin 2010 në një diskotekë në Pejë, Granit Elshani, sot është dorëzuar në Policinë e Kosovës.
Avokatja e këtij të fundit, Kosovare Kelmendi, tha për Reporteri.net, se Elshani është pritur sot nga zyrtarët policor në Aeroportin e Prishtinës dhe më pas është dërguar në Qendrën e Paraburgimit.
“Graniti i është përgjigjur vullnetarisht vendimit të Gjykatës për caktimin e paraburgimit dhe i njëjti përmes meje ka njoftuar organet policore se do të kthehet dhe paraqitet sot. I njëjti është pritur nga zyrtarët policor në aeroportin e Prishtinës dhe është dërguar drejtë në Qendër të Paraburgimit”, thuhet në përgjigjen e Kelmendit për Reporteri.
Në shtator të 2024, Gjykata e Apelit e kishte gjetur fajtor Granit Elshanin.
Megjithatë, Gjykata Themeloren në Gjakovë, kishte konfirmuar se Granit Elshani i dënuar nga Gjykata e Apelit me 24 vite burgim, nuk është gjendur në shtëpi për t’u dërguar në paraburgim, me ç’rast ka lëshuar letër rreshtim vendor.
Fillimisht Apeli me vendim të veçante ia kishte caktuar Elshanit masën e paraburgimit derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë por jo më shumë sesa dënimi i shqiptuar prej 24 vitesh burgim.
Gjykata Themelore në Gjakovë ka konfirmuar se bazuar në vendimin e Apelit kanë lëshuar urdhëresë për Stacionin Policor në Pejë që Elshani të dërgohet në paraburgim nga shtëpia e tij.
Por se, kur Policia ka shkuar për zbatim të urdhëresës Elshani nuk është gjetur në shtëpinë e tij.
E sipas deklarimit të familjarëve, Elshani nuk ndodhej në Kosovë
Prandaj Themelorja në Gjakovë bazuar në raportet e Policisë ka konstatuar se janë plotësuar kushtet ligjore që ndaj Elshanit të lëshohet urdhër për shpalljen e Letërreshtimit vendor.