Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është kthyer për të vazhduar dëshminë dëshmitari Nuredin Ibishi, i cili është pyetur për Enver Sekiraqën, për të cilin tha se e di që është i arratisur nga drejtësia në Kosovë.
Gjatë vazhdimit të dëshmisë së tij, pas 1 jave kur u paraqit për herë të parë në Hagë, Nuredin Ibishi është pyetur për njohuritë që ka për krimet dhe arratisjen nga burgu në Kosovë të Enver Sekiraqës.
Mirëpo teksa avokatja e Jakup Krasniqit, Venkatesfari Alagendra, ka kërkuar që të pranohej si fakt dokumenti që vërteton se Enver Sekiraqa është i arratisur dhe po i ikë drejtësisë në Kosovë, gjyqtari Gueanwl Metroux e ka pyetur avokaten nëse po e bën këtë kërkesë për të provuar se nuk duhet besuar asgjë që ka thënë ai dëshmitar për ndalimin e tij, për shkak të problemeve që ka me drejtësinë në Kosovë, duke lënë të kuptohet se Enver Sekiraqa ka dëshmuar kundër ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve pasi është arratisur nga burgu.
Dyshimet i ka konfirmuar edhe prokurorja Silvia D’Ascoli kur e ka kundërshtuar pranimin e këtij fakti të propozuar nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.