Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka thënë për Gazetën Express se Qeveria e Kosovës si pasojë e kontratës kolektive ia ka bllokuar xhirollogarinë bankare Komunës së Suharekës, e drejtuar nga Bali Muharremaj.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka pasur gatishmëri për ta zgjidhur këtë problem.
Sipas tij, kjo mund t’i kushtojë edhe komunave të tjera.
“Qeveria ia bllokoi Komunës së Suharekës xhirollogarinë bankare si pasojë e kontratës kolektive dhe mosgatishmërisë se qeverisë për ta zgjidhur këtë problem. Kjo mund t’i ndodh edhe komunave tjera nëse qeveria nuk ka vullnet për të gjetur zgjidhje të këtij problemi. AKK edhe njëherë kërkon nga qeveria që t’i dëgjojë komunat dhe të reflektojë në kërkesat e tyre për kontratën kolektive”, ka thënë Ibrahimi.
Suhareka qeveriset nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), parti opozitare në nivel qendror. /Gazeta Express