Kryeministri malazez, Dushko Markoviq, i është kundërpërgjigjur deklaratave të kreut të VV-së, Albin Kurti për çështjen e Demarkacionit.
Lideri i VV-së, e kishte cilësuar si jo të mbyllur këtë temë, duke thënë se duhet të bëhen korrigjimet e duhura.
E Markoviq ka thënë se kjo marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe atë të Malit të Zi, dhe në këtë formë tema është e mbyllur.
“Ajo për çfarë që mund të bisedojmë është tërheqja e vijës kufitare në lidhje me gjendjen në terren, për çfarë na jep të drejtë marrëveshja për kufirin. Kjo nuk është çështje e kufirit, por çështje e vijës kufitare dhe në këtë proces ne do t’i dëgjojmë propozimet e tyre [Kosovës] dhe me siguri do të kemi edhe ne propozimet tona”, tha Markoviq, për Televizionin publik të Malit të Zi.
Sidoqoftë, Markoviq thotë se Mali i Zi është i gatshëm për dialog, dhe për ta dëgjuar atë se çka ka për të thënë pala tjetër.
“Mali i Zi është gjithmonë i gatshëm për dialog, gjithmonë i gatshëm për të dëgjuar palën tjetër, por natyrisht edhe për të mbrojtur pozicionin dhe interesin e vet pa kompromis dhe në vazhdimësi”, tha ai.
Kujtojmë, se partia e Kurtit, Vetëvendosje ishte ashpër kundër marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Madje për këtë ishin organizuar edhe protesta masive, të përcjellura me gaz lotsjellës në Kuvend për parandalimin e votimit të kësaj marrëveshjeje.