Faton Peci, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka punësuar në dikasterin që ai drejton asistenten tij, e cila është edhe anëtare e partisë GUXO, që ka bashkëkryetar Pecin.
Bleona Krasniqi ka qenë asistente administrative e Pecit, ndërsa e njëjta, më 21 tetor, është zgjedhur në pozitën e “Zyrtarit për Informim” në kuadër të ministrisë së drejtuar nga Peci.
Sipas vendimit për pranimin e Krasniqit, të cilin e ka siguruar Albanian Post, i cili është marrë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzor, ajo ka marrë 64.4 pikë në testin me shkrim, ndërsa 25.2 në intervistën me gojë. 89.6 në total.
Përvec asistente e Pecit, Bleona Krasniqi po ashtu është anëtare e kryesisë së degës së partisë GUXO në Mitrovicë.
Ky nuk është rasti i vetëm kur në ministritë që drejtohen nga eksponentët e Guxo-s shpërfaqet nepotizmi.
Të martën u kuptua se motra e Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Blerim Gashani – zyrtar i GUXO-s – është punësuar në dikasterin e drejtuar nga Peci, si zyrtare e arkivës.
Fillimisht Peci tha se nuk e din nëse motra e Gashanit punon në Ministrinë e Bujqësisë, por kjo u konfirmua nga vetë zëvendësministri. E gjithë kjo ndodhi në një intervistë që Peci e Gashani e kishin në “T7”.
Më 16 korrik, Albanian Post kishte raportuar se si Donika Gërvalla, Ministre e Punëve të Jashtme dhe Faton Peci, Ministër i Bujqësisë, të dy këta bashkëkryetar të Partisë Guxo, kishin punësuar asistentët e tyre nëpër dikasteret që drejtojnë.
Haki Huruglica ka qenë asistent administrativ i Gërvallës, ndërsa i njëjti më 15 korrik, ishte zgjedhur Zyrtar i Lartë për Koordinim të Politikave, në Departamentin e Integrimit Evropian dhe Koordinim të Politikave.
Sipas vendimit për pranimin e Huruglicës, ish-asistenti i Gërvallës kishte marrë 58.4 pikë në testin me shkrim, ndërsa 23.6 në intervistën me gojë dhe 82 në total.
Verona Menxhiqi më 6 prill 2021, ishte emëruar asistente ekzekutive e Ministrit Peci nga vetë Peci.
Ndërsa, më 16 korrik 2024, tri vjet më vonë, ajo ishte emëruar Zyrtare e Lartë Ligjore Departamentin Ligjor të Ministrisë që drejtohet nga Peci.
Sipas vendimit të përzgjedhjes së Menxhiqit, ajo kishte marrë 64 pikë në testin me shkrim, 26.6 në intervistën me gojë, ndërsa totali ishte 90.6.