Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur sot në Prishtinë, duke shkaktuar katër të lënduar dhe përfunduar me arrestimin e 13 personave. Policia ka ndërhyrë menjëherë në vendngjarje për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat dhe motivet e përplasjes, ndërsa forcat e rendit kanë shtuar praninë e tyre për të garantuar sigurinë.
Të shtënat me armë zjarri që kanë ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në rrugën “Lidhja e Pejës”, ku një person është plagosur e tre të tjerë kanë marrë lëndime gjatë përleshjes.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
“Sot rreth orës 01:20, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Lidhja e Pejës” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e deritanishme raportohet për katër persona të lënduar, njëri prej të cilëve dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime gjatë përleshjes ku dyshohet të jenë përdorë mjete të forta. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit. Deri tani nga ana e policisë janë identifikuar, arrestuar dhe dërguar në majtje 13 persona të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rast që është cilësuar si vrasje në tentativë”, ka thënë Ahmeti për “Betimi për Drejtësi”.