Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku ka shkaktuar mbrëmë një aksident trafiku.
Reporteri mëson se zëvendësministri i Qeverisë Kurti ka goditur me veturë një motoçiklist. Nga burime brenda policisë, Reporteri.net merr vesh se zëvendësministri Tafarshiku ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur mbrëmë e ka shkaktuar aksidentin.
Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00 në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë. Motoçiklisti i goditur nga vetura zyrtare me të cilën po udhëtonte zëvendësministri Tafarshiku, raportohet se është një 15 vjeçar nga Gjakova.
Ai ishte me veturë zyrtare kur duke mos përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës ka goditur motoçiklistin, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Pas rastit, Tafarshiku është shoqëruar në polici ku i është bërë edhe testi i alkoolit dhe ka rezultuar pozitiv, dhe se kishte konsumuar 2.30% promil.
Reporteri po ashtu merr vesh se i njëjti pas rastit dhe intervistimit në polici është liruar në procedurë të rregullt.