Në Maqedoninë e Veriut sot po mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale.
Të drejtë vote kanë 1.814.317, të cilët mund të zgjedhin mes shtatë kandidatëve Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska Davkova, Stevço Jakimovski, Bujar Osmani, Biljana Vankovska, Arben Taravari dhe Maksim Dimitrevski.
Në raundin e parë fitues mund të jetë kandidati që ka fituar shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votuesve, pra 907.159 vota.
Nëse askush nuk merr shumicën e kërkuar në raundin e parë, dy kandidatët që kanë fituar më shumë vota në raundin e parë shkojnë në raundin e dytë.
Raundi i dytë i votimit zhvillohet brenda 14 ditëve nga përfundimi i raundit të parë të votimit, në këtë rast më 8 maj.
President do të zgjidhet kandidati që ka marrë shumicën e votave, nëse në votim kanë dalë më shumë se 40 për qind e zgjedhësve të regjistruar, gjegjësisht 725.727 zgjedhës të parashikuar në Kodin Zgjedhor dhe për të kanë votuar 362.864 zgjedhës.
Nëse në raundin e dytë asnjëri nga dy kandidatët nuk ka marrë numrin e duhur të votave, e gjithë procedura e zgjedhjes përsëritet.
Në rundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi një kandidat/e duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore, apo gjysmën e votave të mbi 1.8 milion votuesve.
Në rundin e dytë kalojnë dy kandidatët me më së shumti vota, ndërsa fitues zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave, me kusht që në zgjedhje të dalin mbi 40 për qind e elektoratit.
Në të gjitha zgjedhjet presidenciale të deritanishme është siguruar censusi prej të paktën 40 për qind.
Sipas KSHZ, rezultatet e para jozyrtare do të publikohen më së voni deri në mesnatë.