Një grua ka mbetur e vrarë nga disa të shtëna me armë zjarri para Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur. I dyshuari është arrestuar nga policia pak pasi ka ndodhur ngjarja. Ai dyshohet që është ish-bashkëshorti i gruas së vrarë.
“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Për pasojë nga të shtënat e armës së zjarrit një person i gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa është plagosur një person i gjinisë mashkullore, i cili është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj. I dyshuari pasi ka shtënë me armë zjarri është larguar në drejtim të panjohur. Ekipe të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në ora 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje”, ka thënë për Gazetën Express zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Ekipe të hetuesve dhe krimeve janë në vendin e ngjarjes, të cilët janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit
Për rastin gjithashtu ka folur edhe Kryeprokurori në Ferizaj, Shukri Jashari, i cili ka thënë për Gazetën Express se dyshohet që gruaja është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshje.
“Për momentin nuk kemi informacione, mirëpo dyshojmë që motivi është te një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve. Ata janë takuar afër Qendrës për Punë Sociale dhe aty ka ndodhur rasti. Personi [ish-bashkëshorti] është arrestuar”.