Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është përfshirë edhe zyrtarisht në garën për pushtet në Maqedoninë e Veriut duke iu bashkuar koalicionit të opozitës shqiptare. Lajmi u kumtua në fund të dhjetorit të vitit që sapo lamë pas. “Lëvizja VETËVENDOSJE i bashkëngjitet Lidhjes Europiane për Ndryshim”, shkroi Izet Mexhiti, kryetari i Lëvizjes Demokratike. Këtij hapi të Vetëvendosjes i parapriu vizita joformale e “vëllazërore” e kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut më 11 gusht 2023 në dy komunat me shumicë shqiptare, Tetovë e Çair.
Për vendimin e Kurtit për t’u përfshirë me Vetëvendosjen në garë zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, analisti politik, Blerim Latifi, ka paralajmëruar pasoja për Kosovën.
“Kurti asnjëherë nuk e ka fshehur ambicien e tij për të projektuar influencë politike përtej kufijve të Kosovës. E ka bërë në Shqipëri, por pa sukses. E ka bërë në Luginë të Preshevës, me sukses. E ka bërë edhe në diasporën shqiptare që voton në Zvicër, ndërsa tani edhe me Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Latifi ditë më parë në një intervistë për Gazetën Express.
Derisa në rastet e mëparshme rreziqet e këtij projektimi të influencës jashtë shtetit, kanë qenë pothuajse inekzistente, sipas Latifit, në rastin e Maqedonisë së Veriut gjërat janë më të komplikuara dhe ka rrezik për shfaqjen e dy pasojave të dëmshme për vetë Kosovën.
“E para, mund të krijohen tensione krejtësisht të panevojshme midis dy vendeve dhe e dyta mund të delegjitimohet kërkesa jonë e vazhdueshme për mosndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës. Sepse nëse ti vetë ndërhyn në punët e brendshme të një shteti tjetër, pse atëherë kërkon që të tjerët të mos ndërhyjnë në punët e tua të brendshme? Është logjikë reciprociteti kjo. Si ajo rregulla e etikës kantiane: mos ia bëj tjetrit, atë që nuk do tjetri ta bëjë ty! Por, sigurisht ky projektim i jashtëm i influencës politike gjithmonë e ka edhe dimensionin e brendshëm politik, sepse një lider që ka influencë edhe jashtë kufijve të shtetit të tij, mundet ta shfrytëzojë këtë influencë për të fuqizuar pushtetin e tij brenda shtetit”.
Vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut
Më 11 gusht të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti mori pjesë në dy ngjarje në Çair dhe Tetovë, komuna të banuara me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ai mori pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit Adem Demaçi në Çair, ndërsa në Tetovë mori pjesë në lëshimin në përdorim të një rruge në Malësinë e Tetovës. Ndërsa, në mbrëmje ai mbajti një fjalim para një audience shqiptare në mesin e së cilës pati shumë flamuj kombëtarë dhe ai që njihej si “Autochthonous”, i cili më vonë u bë qendër e një debati.
“Ta ndihmojmë e përkrahim njëri-tjetrin, për hir të njëri-tjetrit jo kundër ndokujt tjetër”, tha Kurti, derisa shtoi se vizita e tij në shtetin fqinj ishte “vëllazërore”.
“Sot, kam ardhur këtu mes jush si Kryeministër i Republikës së Kosovës, në një vizitë vëllazërore me ju shqiptarët e këtyre trevave të Maqedonisë së Veriut, fqinjit tonë të mirë dhe vendit mik që na ka njohur si shtet neve Republikën e pavarur të Kosovës që në krye të herës dhe me të cilën kemi aq shumë shkëmbime në të gjitha fushat dhe marrëdhënie të mira ndërshtetërore”.
Përveç mesazheve që pati për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Kurti dha edhe një mesazh për vetë shtetin fqinj.
Ai atje tha se nëse Maqedonia e Veriut afrohet më shumë me Kosovën e Shqipërinë rrjedhimisht është edhe më afër Bashkimit Europian.
“Maqedonia e Veriut, sa ma afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë, e sa ma larg Serbisë e cila nuk po distancohet as nga Millosheviqi dhe as nga Putini, aq ma afër ajo, pra aq ma afër Maqedonia e Veriut do të jetë anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni ynë i Ballkanit. E për këtë ne duhet ta ndihmojmë e do ta përkrahim Maqedoninë e Veriut”, tha kryeministri Kurti.
Por, kjo vizitë ngjalli debat e reagime edhe nga krerët e institucioneve maqedonase dhe politikanët atje.
Dy ditë më vonë, presidenti maqedonas, Pendarovski, tha se “organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen për shkak të injorimit të simboleve shtetërore, por edhe për shkak të vendosjes së ikonografisë provokuese nacionaliste që promovon ide shoviniste të shteteve të mëdha”.
Përveç presidentit Stevo Pendarovski, ka reaguar edhe kryeministri Dimitar Kovçevski, i cili madje ka kërkuar sqarime edhe nga Ambasada e Kosovës në Shkup.
“Vendosja e flamujve që nuk janë shtetërorë është në kundërshtim me protokollet dhe ligjet për organizimin e manifestimeve në prani të zyrtarëve të vendeve të huaja. Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë po merr masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit”, u tha në reagimin e kabinetit të kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
Opozita maqedonase, ndërkohë, ka kërkuar llogari nga institucionet, për siç tha, “poshtërimin e radhës të shtetit maqedonas”.
Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, tha se institucionet nuk mund të arsyetohen me “vizita private”, ngjashëm siç kishin bërë edhe me rastin e vizitave të zyrtarëve nga Bullgaria.
“Sa herë që dalin në pah tradhtitë e Lidhjes Social Demokrate [parti në pushtet] të cilët e zhytën Maqedoninë [e Veriut], arsyetohen me terminologjinë e ‘vizitave private’. Sa për kujtesë, qëndrimi i Iljana Jotovës [nënpresidentes bullgare] dhe gjithë kreut shtetëror bullgar në Manastir për hapjen e klubit bullgar, ishte një ‘vizitë private’. E njëjta gjë po ndodh tani. LSDM-ja votoi për ndryshimin e rrugëve, LSDM-ja angazhoi forca policore dhe kordon për Kurtin. LSDM-ja dhe kandidati i tyre i dëshiruar për president, ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, e gjunjëzuan sërish Maqedoninë [e Veriut]”, tha zëdhënësi i VMRO-së, Naum Stoilkovski.