Në orën 01:00, pas mesnatës, më datë 27 qershor, në rrugën “Skënderbeu” në Gjakovë, një person ishte ankuar se derisa kishte qenë duke e drejtuar veturën, ai ishte ndaluar në mënyrë të dhunshme nga dy vetura, në të cilën kishin qenë brenda 7-8 persona.
Sipas rrëfimit të viktimës ngjarja kishte rrjedhur në atë mënyrë që pas ndalimit të tij, të gjithë ata persona i ishin vërsulur viktimës dhe e kishin nxjerrë jashtë atë në mënyrë të dhunshme.
Viktima ka deklaruar se 4 prej personave që e kishin ndaluar ishin të
armatosur, dy kishin qenë me armë të gjata AK47 e dy me armë të shkurta, me revole
“Më nxorën nga vetura, njëri prej të dyshuarve më goditi me kondakt të
pushkës në vetullën e majtë, ndërsa të tjerët ma dëmtuan veturën me shufra metali dhe pastaj u larguan nga vendi i ngjarjes, por jo pa shtënë disa herë me armë në ajër”, ka thënë viktima në rrëfimin e tij të dhënë në polici.
Sinjali mëson nga Policia se në momentin kur viktima është goditur, njëri nga të dyshuarit ka bërtitur duke thënë “Ndaluni se nuk është ky personi që po e kërkojmë” dhe kanë vazhduar në drejtim të veturave të tyre.
Sipas viktimës, ai nuk e ka njohur asnjërin nga personat të cilët e kanë sulmuar dhe nuk e di arsyen se pse ai ishte cak i këtij sulmi.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante, mirëpo meqenëse të dyshuarit veçse ishin larguar, për këtë rast ende nuk ka asnjë të arrestuar.