Mbi 70 raste me COVID-19 janë konfirmuar deri tani në Komunën e Pejës. Sot nga kjo komunë janë përcjellë 11 mostra për testim për në
laboratorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Informacione rreth rasteve në këtë komunë ka dhënë Drejtori për Shëndetësi, Petrit Loci.
Sipas Locit, gjendja e të infektuarve është e mirë. Ai ka treguar për Express se sot kanë përcjellë për testim 11 mostra, rezultatet e të cilave pritet të dalin në mbrëmje.
Loci thotë se aktualisht në këtë komunë janë 66 raste aktive me koronavirus.
“Dy ditët e fundit, gjendja ka qenë më e mirë. Sot i kemi dërguar për testim 11 mostra të personave të kontaktit, dhe po i presim rezultatet në mbrëmje. Deri tani, në Pejë janë konfirmuar 73 raste.
Prej tyre, dy pacientë kanë vdekur, pesë janë shëruar. Pra, raste aktive janë 66. Gjendja e të infektuarve është e mirë”, ka thënë Loci për Express.
Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar shtatë raste të reja me COVID-19. Rastet pozitive janë raste kontakti nga Komuna e Prizrenit, VitiA dhe Mitrovica e Jugut.
IKSHP’ja ka njoftuar edhe për shërimin e 22 pacientëve.
“Sot më 30 prill 2020, janë shëruar edhe njëzet e dy (22) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej dyqind e shtatëdhjetë e një (271) raste”, thuhet në njoftim.
Që nga shpërthimi i pandemisë, në Kosovë kanë vdekur 22 pacientë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 806, ndërsa 271 pacientë janë shëruar.