Në ditën e katërt të grevës së tyre, gjendja shëndetësore e minatorëve të Trepçës po përkeqësohet në mënyrë alarmante, pasi deri më tani gjashtë minatorëve iu është përkeqësuar ndjeshëm gjendja e tyre.
Më herët, kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi, ka bërë të ditur se katër prej minatorëve kanë mbetur pa vetëdije dhe janë detyruar të kërkojnë ndihmë mjekësore të premten.
Po ashtu, sipas tij gjendja është alarmante.
“Gjendja është alarmante. Ndihma e shpejtë po vjen dhe po merr punëtorë pasi po u përkeqësohet gjendja. Sot dita e 4-të, deri më tash janë katër punëtorë që janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Jonuzi për Dukagjini.
Një minator i Trepçës ka refuzuar të largohet nga miniera dhe të shkojë në spital, pavarësisht gjendjes së rëndë shëndetësore.
Ai ka thënë: “Unë prej këtu nuk dal”, duke shprehur vendosmërinë për të vazhduar grevën e tij.
Minatorët e “Trepçës” kanë hyrë në grevë urie prej katër ditësh dhe kanë insistuar se nuk do ta ndërpresin grevën deri në plotësimin e kërkesave.
Kërkesat e tyre janë përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi shëndetësor, ekzekutimi me rregull i pagave dhe shkarkimi i kryeshefit.
Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka thënë sot se Trepça nuk ka pasur asnjëherë më shumë mbështetje sesa gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.
Basha ka thënë se për dy vjet ky kombinat ka pasur mbështetje në vlerë 20 milion euro.
“Pas krejt propagandës, ka rëndësi qytetarët me ditë që Trepça asnjëherë nuk ka pasur më shumë mbështetje se sa me Qeverinë Kurti! Për dy vite ka pasur mbi 20 milion euro mbështetje nga qeveria! “, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.
Tutje, ai tha se minatorët e Trepçës i kanë pagat më të larta në rajon.
“Gjithashtu, minatorët në Trepçë kanë pagat më të larta në rajon, ku paga mesatare sillet 1,250 euro, derisa në Maqedoni paguhen 600 euro e në Shqipëri 585 euro!”, shkroi tutje ai