5 pacientë me COVID-19, ka pretenduar deputeti i VV-së Agon Batusha, të kenë vdekur brenda pak orëve në Spitalin Rajonal të Gjakovës. Në përpjekjet për të demantuar alarmin e deputetit gjakovar, Spitali i Gjakovës dhe Komuna kanë qenë secili më kundërthënës se tjetri në shifra.
I pari që mohoi që së fundi të kenë ndodhur 5 vdekje nga COVID-19 në Spitalin e Gjakovës ishte kryetari i Komunës Adrian Gjini.
Sipas tij, ka informacione vetëm për dy humbje jete gjatë ditës së sotme.
“Këtë informacion nuk e kam, për tre e kam informacionin për dy gra të moshuara dhe doktorin”, u tha Gjini mediave.
Numrin e vdekjeve për një më pak sesa e deklaroi Kryetari Gjini, e zvogëloi Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Ferdinand Kolaj, shkruan Reporteri.net.
Ai tha se ka informacione për vetëm dy vdekje.
“Mua më konfirmuan për dy vdekje, për pesë nuk është e vërtetë”, ka thënë Kolaj.
E nuk ka vonuar shumë pas tij, shifër krejt tjetër ka dhënë drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala.
Sipas tij, sot në Gjakovë nga COVID-19 ka vdekur vetëm një 1 person. Fjala është për drejtorin e QKMF-së, mjekun Kujtim Zarari.
“Vetëm një pacient ka ndërruar jetë. Ai është mjeku Kujtim Zarari. Deri në këto momente kemi pacientë në gjendje të rëndë, por nuk ka viktima tjera”, citohet të ketë deklaruar Shala.
Ndërkohë, alarmin për 5 vdekje nga COVID-19 në spitalin e Gjakovës e ka dhënë deputeti që vjen nga kjo komunë Agon Batusha.
Madje sipas tij pesë vdekjet kanë ndodhur brenda dy orëve në këtë spital.
“5 vdekje nga COVID-19 brenda dy orësh në Spitalin e Gjakovës. Situata është jashtë çdo kontrolli”, ka shkruar Batusha në facebook.
Ndaj këtij pretendimi, Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë ka lëshuar një demant, i cili nuk jep shifër për numrin e vdekjeve, shkruan Reporteri.net.
“Duhet të dihet se morgu i Spitalit shfrytëzohet edhe për pacientë që vdesin në kushte normale, për pacientë që vdesin në qendra tjera apo paciente që vdesin shtëpi mirëpo familjaret i lejnë kufomat në morg deri në ditën e varrimit”, thuhet në reagim.
“Ju lutem të gjithëve lejoni personelin shëndetësorë të punojnë, të gjithë janë mobilizuara, të gjitha janë në detyre, janë duke sakrifikuar shëndetin e tyre vetëm e vetëm që të mbrojnë dhe mjekojnë pacientë. Ju rikujtomë qytetarëve të mos e ulin vëmendjen për zbatimin e rregullave dhe masave për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm që prek këdo, pa dallim”, përfundon kumtesa e spitalit të Gjakovës