Këto janë verdiktet që dha java e fundit e elitës së futbollit kosovar.
Në fakt, gjithçka varej nga sfida mes kuqezinjve dhe “skifterëve”, ku kishte përplasje objektivash, ndërsa Drenica dhe Trepça ’89, edhe pse me vështirësi, morën rezultatet që kërkon në takimet respektive (Drenica-Dukagjini 1-0 dhe Trepça ’89 – Prishtina 2-1 me përmbysje).
Goli i Razak në minutën e 74-t i kushtoi shtrenjtë skuadrës së Flamurtarit, që nga vendi i shtatë rrëshqiti në të nëntin pikërisht në javën e fundit.
Kuqezinjtë ndihen “të tradhtuar” nga Prishtina, që edhe pse kryesonte 0-1 me Trepçën ’89 me gol të Zybës (63’), në 10 minutat e fundit u ndëshkua dy herë nga Avdyli dhe Manaj.
Ballkanit nuk i mjaftoi suksesi 2-1 me Dritën për ta mbyllur në vendin e dytë. Skuadra e Ismet Munishit duhet të fitojë Digitalb Kupën e Kosovës ndaj Prishtinës për të prerë biletën e fundit për në Europë.
Java 33
Drenica – Dukagjini 1-0
Ballkani – Drita 2-1
Ferizaj – Feronikeli 1-1
Flamurtari – Gjilani 0-1
Trepca ’89 – Prishtina 2-1
Vushtrria – Llapi 5-3