Kryeministri ne detyrë, Albin Kurti e kishte lexuar më 31 Mars një vendim të Gjykatës Kushtetuese që thoshte se vendimet e Qeverisë, të nënshkruara nga ai, për kufizimin e lirisë së lëvizjes ishin jo kushtetuese dhe se kjo duhej bere me një ligj nga Kuvendi i Kosovës. Kurti mund ta evitonte këtë dhe ta pyeste Kuvendin për këtë temë.
E gjithë kjo temë, kufizimi i lëvizjes, ka bërë që Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministri kryesor në këtë betejë, të marrë epitetin ‘shkelës i Kushtetutës’.
Por, Kurti “kishte frikë” të shkonte aty, pasi mendonte se do të shpallej gjendja e jashtëzakonshme. Me atë gjendje, Presidenti do te kishte rol aktiv e vendimtar për disa gjera, dhe Kurti mendonte se Thaçi do te tejkalonte këtë, shkruan Reporteri.
Një ministër i LDK-së, ai i Punëve të Brendshme Agim Veliu kishte qenë pro propozimit të Thaçit dhe kjo çoi në rënien e Qeverisë.
Meqë Gjykata Kushtetuese i kishte thënë më 31 Mars se duhet ta gjejë një zgjidhje deri më 13 Prill dhe kishte theksuar rolin vendimtar të Kuvendit, Kurti mori një drejtim, por tjetër.
Ai mendonte se nuk do të ishte shkelje nëse do të anashkalohej Kuvendi, ani pse Gjykata thoshte ndryshe. Me këtë vendim përpara, Kurti krejt kompetencat për kufizimin e lirisë ia delegoi Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kryeministri mendonte se me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, roli i tij do të zbehej dhe se do t’i jepte shumë pushtet Thaçit, meqë në atë moment aktivizohej ushtria dhe presidenti është komandant suprem. Në sfond ishte edhe dialogu me Serbinë dhe mos-pajtimet e Thaçit dhe Kurtit dhe të dërguarit special, Richard Grenell.
Kështu, me vendim të Qeverisë ai ia kaloi kompetencat Arben Vitisë, për kufizim të lëvizjes së lirë.
“Në mbledhje është shqyrtuar dhe miratuar Vendimi sipas të cilit autorizohet ministri i Ministrisë së Shëndetësisë që të nxjerrë vendime me qëllim të parandalimit dhe luftimit të përhapjes së sëmundjes COVID-19. Vendimet do të jenë në funksion të zbatimit të dispozitave të Ligjit për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse.
Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, sipas rekomandimeve të njësive përkatëse profesionale dhe në konsultim me Komunat respektive do ta përcaktojë orarin e lëvizjes ose ndalimit të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve, si dhe të bëjë përjashtime të orarit të kufizimeve të përcaktuara në Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 02/17 të datës 27.03.2020”, thuhej në një komunikatë të Qeverisë më 9 Prill.
“Vendimi i miratuar sot nga Qeveria e Republikës së Kosovës ka për qëllim racionalizimin e kohës në procesin e marrjes së vendimeve, në funksion të parandalimit dhe luftimit të përhapjes së epidemisë COVID-19. Vendimi mbështetet në dispozitat ligjore të Ligjit për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse si dhe duke u bazuar në konstatimet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. KO54/20”, shkruhej më tutje në njoftim.
Me këtë ligj, Vitia do të merrte vendimet për secilën komunë veç e veç.
Ligji pёr Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse, neni 41 pika 41.1 parasheh që shpalljen e gjendjes Emergjente Shëndetësore për ta mbrojtur vendin nga kolera, murtaja, variola vera, ethet hemorragjike virale, ethet e verdha, SARS-i, gripi i shpendëve dhe sëmundjet tjera ngjitëse.
“41.1 Për ta mbrojtur vendin nga kolera, murtaja, variola, ethet hemorragjike virale, ethet e verdha, SARS-i, gripi i shpendëve dhe sëmundjet tjera ngjitëse, merren masat e parashikuara me këtë ligj dhe me konventa ndërkombëtare sanitare dhe me akte tjera ndërkombëtare”, thuhet në këtë nen.
Tutje në pikën 41.2 thuhet se “Për të parandaluar futjen dhe përhapjen e kolerës, murtajes, variolës, etheve hemorragjike virale, etheve të verdha, SARS-it, gripit të shpendëve dhe sëmundjeve tjera ngjitëse në tërë vendin, Ministria e Shëndetësisë, me akte nënligjore përcakton masat e posaçme të jashtëzakonshme për mbrojtje nga këto sëmundje si vijon:
1. Ndalimi i udhëtimit në vendin ku është përhapur epidemia e ndonjetës nga këto sëmundje;
2. Ndalimi i qarkullimit në rajonet e infektuara ose drejtpërsëdrejti të rrezikuara;
3. Kufizimi ose ndalimi i qarkullimit të llojeve të veçanta të mallrave dhe të produkteve;
4. Pjesëmarrja e detyrueshme e institucioneve shëndetësore, institucioneve të tjera dhe e qytetarëve në luftimin e sëmundjeve dhe në shfrytëzimin e objekteve, të pajisjes dhe të mjetit të transportit me qëlllim të luftimit të sëmundjeve ngjitëse.
Më shumë se dy javë pas, Arben Vitia dje është konstatuar se shkeli Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese tha sot se nja 4 vendime të tij për kufizim të lëvizjes ishin anti-kushtetuese. Kjo lëndë u çua në Gjykata nga PDK-ja.
“7. Gjykata gjithashtu vendosi që Vendimet “për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19” në Komunën e Prizrenit, Dragashit dhe Istogut, respektivisht, janë në përputhshmëri me Kushtetutën, me përjashtim të pikave përkatëse të dispozitivit të cilat përcaktojnë kundërvajtjet administrative, ndërsa Vendimin për shpalljen “zonë karantinë” në Komunën e Prizrenit, e shpalli në kundërshtim me Kushtetutën”, u tha ndër të tjera në vendimin e saj.
Gjykata kujton se kishte dhënë një përgjigje se këto masa duheshin bërë nga Kuvendi.
“13. Gjykata gjithashtu rikujtoi që përmes Aktgjykimit KO54/20, kishte përcaktuar një datë tjetër të hyrjes në fuqi të Aktgjykimit të saj, respektivisht datën 13 prill 2020, duke theksuar se deri në këtë datë, institucionet relevante të Republikës së Kosovës, në radhë të parë Kuvendi, duhet të ndërmarrin masat e duhura për tu siguruar që kufizimet e nevojshme të të drejtave dhe lirive themelore më qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, të bëhen në përputhshmëri me Kushtetutën dhe Aktgjykimin KO54/20”, shkruan Gjykata.
Tash do të mbetet të shihte se cili do të jetë hapi i radhës, pas shkeljes së evidentuar. Deri atëherë, Gjykata Kushtetuese ka një punë të re dhe sfiduese, të vlerësoje kushtetutshmërinë e një dekreti të Presidentit Thaçi që të dekretojë Avdullah Hotin për Kryeministër. Në betejën e parë, fitues doli Vetëvendosje. Dekreti u pezullua për t’i lënë hapësirë Gjykatës që deri më 29 Maj të japë vendimin