Më 27 qershor Kosova dhe Serbia do të takohen në Washington. Takimin e konfirmoi ditë më parë i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për dialog, Richard Grenell.
Për takimin e 27 qershorit ka folur së fundmi presidenti Hashim Thaçi, i cili në një intervistë për “Zërin e Amerikës” nuk e ka përjashtuar mundësinë e marrëveshjes me Serbinë më 27 qershor.
“Mendoj që ne fillimisht duhet të orientohemi se çka synojmë të arrijmë, e atë çka ne synojmë të arrijmë është respektimi i plotë i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, respektimi i gjithë asaj çka ne kemi arritur, pra lirisë, pavarësisë, sovranitetit, dhe në anën tjetër duke respektuar parimet dhe standardet ndërkombëtare por edhe të fqinjësisë së mirë. Të inkorporohen gjëra të cilat ndikojnë për të mirën e të dy vendeve, për të mirën e njerëzve dhe qytetarëve tanë. Kështu që mendoj se gjërat janë duke shkuar në drejtim të duhur për arritjen e marrëveshjes me 27 qershor. Pra unë jam optimist se marrëveshja mund të arrihet, megjithëse do të jetë jashtëzakonisht vështirë”, ka deklaruar Thaçi.
I pyetur se për çfarë marrëveshje po flet, Thaçi ka thënë se e ka fjalën për marrëveshje që sjell të mira për njerëzit tonë, që ndryshon qasjen zhvillimore, që sjell investime në Kosovë.
“Ne duhet të përgatitemi për synimin që e kemi, një marrëveshje kjo që sjell të mira për njerëzit tonë, që ndryshon qasjen zhvillimore, që sjell investime në Kosovë, që siguron dhe garanton të drejtat e të gjithë qytetarëve të vendit në kuptimin më afirmativ të mundshëm, që i hap perspektivë Kosovës që të jetë pjesë në të ardhmen e afërt e NATO-s dhe Bashkimit Evropian por edhe ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Unë mendoj se asnjë adresë më e mirë, më e qëlluar, më e saktë dhe e besueshme nuk ka për Kosovës sesa Washingtonin, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si Kosovë, ne gjithmonë kemi kërkuar që në tryezë të bisedimeve të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa tash jo vetëm që janë në tryezë, por janë edhe udhëheqës të këtij procesi, prandaj besimi ynë është i plotë se gjërat do të shkojnë në drejtim të mundësisë së arritjes së një marrëveshje në këtë proces që udhëhiqet nga SHBA-ja”, ka deklaruar ai.
Ai thotë se synimi parësor i shtetin tonë është që të ketë në fund të procesit njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në gjithë organizatat ndërkombëtare.