Ministri në detyre, i Financave, Besnik Bislimi i ka thirrur në një takim ish ministrat e financave të Bedri Hamza, Avdulla Hotin, Besim Beqaj, Haki Shatri, Ahmet Shala, Ali Sadriu si dhe Guvernatorin e Bankës Qëndrore. Fehmi Mehmetin.
Kështu ka bërë të ditur Bislimi përmes një postimi në llogarin e tij në facbook.Këtë takim e ka thirrur tu konsultuar rreth pakos emergjente.
“Në këtë kontekst e shoh të rëndësishme që të ulemi bashkë, dhe si bartës të pozicionit të njejtë publik, por në periudha të ndryshme kohore, të diskutojmë për fokusin primar të pakos për rimëkëmbjen e ekonomisë, kornizën monetare, organigramën implementuese dhe burimet e mundshme të financimit.
E shoh si tejet të rëndësishme që në këtë fazë të dëshmojmë gatishmëri maksimale për bashkëpunim duke lënë anash cilindo mospajtim eventual politik a personal”, thuhet në këtë letër.
Më poshtë gjeni të plotë letrën.
Të nderuar ish-Ministra të Financave të Republikës së Kosovës, z. Bedri Hamza; z. Avdulla Hoti; z. Besim Beqaj; z. Haki Shatri; z. Ahmet Shala dhe z. Ali Sadriu;
I nderuari Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, z. Fehmi Mehmeti
Fillimisht uroj që Ju dhe familjet Tuaja ta kaloni sa më lehtë këtë peirudhë jo të zakonshme nëpër të cilën po kalojmë të gjithë ne së bashku.
Padyshim që kriza nëpër të cilën po kalojmë është në radhë të parë shëndetësore, dhe rrjedhimisht mbrojtja e jetës së qytetarit përbën prioritetin kryesor të angazhimeve të secilit prej nesh. Por, përtej natyrës shëndetësore, dëmi i shkaktuar ekonomisë sonë dhe mirëqenies së familjeve tona është shumëfish më i madh se sa kostoja e drejtpërdrejtë shëndetësore.
Për të adresuar sfidat momentale si pasojë e masave të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, Ministria e Financave dhe Transfereve ka dizajnuar një pako emergjente fiskale, e cila synon mbrotjen e qytetarëve nga rreziku i ekspozimit ndaj varfërisë ekstreme, mbrotjen e të ardhurave të të punësuarve në sektorin privat, mbrotjen e kompanive në vështirësi financiare si dhe mbrotjen e shëndetit financiar të komunave tona.
Ne jemi të vetëdijshëm, që sektorit privat por edhe amvisërive do i duhet një periudhë paksa më e gjatë kohore deri në rehabilitim të plotë dhe kthim në kapacitetet e shfrytëzuara në fillim të pandemisë, që nënkupton se rimëkëmbja e llojit “V” mund të kërkojë një periudhë kohore përtej këtij viti kalendarik.
Rrjedhimisht, si sektori privat, ashtu edhe tregu i punës do të kenë nevojë për stimulim shtesë fiskal e monetarë, masa këto që duhet të jenë të mire-përgatitura, mire-targetuara dhe mire-implementuara.
Për më tepër, do ketë nevojë për një bashkërendim të ideve edhe me të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetër pritet të jenë përfitues të “Pakos për Rimëkëmbjen e Ekonomisë”, por edhe me ekspertë të shumtë, si vendor ashtu edhe nga mërgata jonë.
Në këtë kontekst e shoh të rëndësishme që të ulemi bashkë, dhe si bartës të pozicionit të njejtë publik, por në periudha të ndryshme kohore, të diskutojmë për fokusin primar të pakos për rimëkëmbjen e ekonomisë, kornizën monetare, organigramën implementuese dhe burimet e mundshme të financimit.
E shoh si tejet të rëndësishme që në këtë fazë të dëshmojmë gatishmëri maksimale për bashkëpunim duke lënë anash cilindo mospajtim eventual politik a personal.
Sugjeroj që takimin ta mbajmë ditën e martë, me 21 prill 2020, me fillim në ora 10 në sallën nr.38 në ndërtesën qendrore të Qeverisë.
Me shpresë që do të konfirmoni ardhjen tuaj, Ju uroj një vikend të rehatshëm pranë familjeve tuaja.
Me respekt
Besnik Bislimi