Njoftim i rëndësishëm për ata që kanë kredi
Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti njofton se Banka Qendrore e Kosovës ka vendosur që të gjithë qytetarëve që kanë kredi dhe nuk mund t’i paguajnë këstet nga data 16 mars deri më 30 prill, u mundësohet t’i bëjnë pagesat pas afatit, pa u ndëshkuar me kamata shtesë.
Hoti në njoftimin e tij ka thënë se ata që nuk mund t’i paguajnë këstet e kredisë, duhet patjetër ta njoftojnë bankën.
Zv.kryeministri, megjithatë, bën thirrje që kjo mundësi të shfrytëzohet vetëm nga kredimarrësit që u duhet të mbulojnë nevojat elementare të familjes gjatë kësaj periudhe të rrezikut nga virusi Covid-19.
Komunikata e plotë e BQK-së:
Mbështetur në vendimet e Bordit të BQK-së, Bordit Ekzekutiv të BQK-së dhe në dakordim me Shoqatën e Bankave të Kosovës, gjithnjë bazuar në situatën e krijuar në vend si rezultat i pandemisë me virusin Covid 19, kredi marrësit që janë në pa mundësi për pagesë të këstit të kredisë do të mund të mos e paguajnë këstin e tyre nga data 16 mars 2020 deri më datë 30 prill 2020.
Secili kredi marrës që është në pamundësi për pagesë të këstit në periudhën si më sipër duhet ta njoftoj kredi dhënësin për një gjë të tillë përmes adresës elektronike apo përmes telefonit, dhe kërkesat e tilla do të aprovohen.
Këstet e papaguara do të jenë subjekt i pagesës pas kalimit të situatës së krijuar, që nënkupton që afati i maturimit të kredisë do të shtyhet gjithashtu për një muaj!
I inkurajojmë të gjithë kredimarrësit që këtë të drejtë ta shfrytëzojnë në mënyrë racionale meqë funksionimi efikas i sistemit financiar është jetik dhe esencial në rrethanat të cilat po kalon vendi.