20 vjet më parë në veri të Mitrovicës, tetë muaj pas çlirimit, 10 shqiptarë u masakruan nga forcat serbe dhe qindra të tjerë u dëbuan.
Luan Abrashi, që në atë kohë ishte vetëm 13 vjeç, ka rrëfyer për Klan Kosovën këtë ngjarje tragjike në të cilën e ka humbur edhe nënën e tij.
“Sot më 3 shkurt bëhen 20 vjet nga masakra në pjesën veriore të Mitrovicës. Atë natë janë vrarë 10 shqiptarë, mes tyre edhe nëna ime. Kam qenë në moshë të re, por më kujtohet shumë freskët ai detaj – ka qenë një natë e tmerrshme”.
“Fatkeqësisht gjithçka ishte e organizuar dhe e planifikuar shumë mirë nga ana e serbëve. Mendoj që jo vetëm nga serbët, sepse pikërisht tetë muaj pas çlirimit të ndodhë kjo fatkeqësi më bën të dyshoj se mund të ketë edhe planifikime më të mëdha”.
“Atë natë asnjë pjesëtar i KFOR-it dhe tash ish UNMIKU-ut nuk ka ndërhyrë, edhe pse trupat e KFOR-it francez kanë qenë të pranishëm në pjesën veriore të Mitrovicës. Në atë natë kritike, kur është bërë dëbimi dhe vrasja, pjesëtarët serbë kanë bërë çfarë kanë dashur”.
Ai e ka rikujtuar momentin e tmerrshëm kur e ka humbur nënën e tij më 3 shkurt të vitit 2000.
“Unë së bashku me babain dhe nënën kemi qëndruar në banesën tonë, derisa vrasja ka ndodhur në banesë në orën 11:00 në mbrëmje. Atë natë kanë dashur me forcë që të hyjnë në banesën tonë, por nuk kanë mundur prandaj edhe kanë gjuajtur.