Së paku 20 shtëpi ose lokale janë destinacion i hajnave për çdo ditë. Bazuar në statistikat e Policisë, vetëm gjatë vitit të kaluar në vend janë raportuar mbi 8 mijë raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda.
Rasti i fundit është shtëpia e milionerit Pal Lekaj. Në shtëpinë e tij u vodhën stoli dhe 100 euro. Krahasuar me vitet e kaluara, numri i këtyre rasteve ka shënuar rënie, derisa rajoni me më së shumti raste të tilla mbetet ai i Prishtinës.
Arjeta Shabani
Mbrëmjen e së mërkurës në kryeqytet ndodhi një vjedhje e rëndë. Cak i hajnave atë natë ishte shtëpia e milionerit Pal Lekajt, njëherit
Ministër në detyrë i Infrastrukturës.
Nga shtëpia e Lekajt u morën stoli ari dhe argjendi, si dhe 100 euro para të gatshme.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.
Sipas policisë, këto gjëra janë marrë nga dhoma e fjetjes.
“Qagllavicë 15.01.2020, 17:55, Ankuesi mashkull, K-shqiptar, ka raportuar për një rast vjedhje. Vjedhja është kryer në një shtëpi nga persona të dyshuar të cilët në dhomën e fjetjes kishin vjedhur disa stoli ari dhe argjendi si dhe 100 € para të gatshme. Njësitë relevante policore kanë dal në vendin e ngjarjes dhe do ta trajtojnë rastin”, thuhet në raportin e policisë.
Por, shtëpia e Lekajt nuk është e vetmja që ka qenë cak i hajdutëve muajve të fundit. Sipas një përllogaritje të thjeshtë, për çdo ditë në Kosovë vidhen së paku 20 shtëpi ose lokale.
Vetëm gjatë vitit të kaluar në vend janë raportuar 4 mijë e 519 raste të vjedhjeve, dhe 3 mijë e 803 raste të tjera të vjedhjeve të rënda. E ndonëse numri i këtyre rasteve është i lart, krahasuar me vitin e kaluar, shirat janë ulur për rreth 1 mijë raste.
Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës del se rënie ka shënuar edhe numri i grabitjeve. Këtë vit janë raportuar vetëm 171 raste, përderisa në 2018’ën, ky numër shkonte në rreth 300.
Statistikat e Policisë
E përveç vjedhjeve nëpër shtëpi e banka, Express ka raportuar se hajnat ua kanë mësyrë edhe objekteve fetare. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, kanë ndodhur rreth 40 vjedhje në këto objekte.
Shumica e këtyre vjedhjeve është raportuar të kenë ndodhur në xhami, përkatësisht 25 raste.
“Nga 39 raste që kanë ndodhë në 6 mujorin e parë të vitit 2019-të, 30.77% e rasteve lidhen direkt me TKF-në si: dëmtim i pasurisë(dyerve, rrethojave, varrezat etj), kurse 69.24% janë raste tjera që kanë ndodhe brenda objekteve të TKF-së si: vjedhje, vjedhje e rëndë, vjedhje e rëndë në tentativë etj.), që lidhen për përfitim personal”, kanë deklaruar nga Policia.
Shumica e këtyre vjedhjeve ishin kryer gjatë natës dhe kryesisht ishin vjedhur para ose aparate zërimi që prijësit fetarë i përdorin për t’iu drejtuar besimtarëve në ditë të veçanta.
“Gjërat që vidhen më së shumti në këto objekte janë vlera monetare(para), që grumbullohen për çështje bamirësie, aparate zërimi, kasetofon etj. Vjedhjet kryesisht kryhen gjate orëve të natës dhe shumica e rasteve janë me kryerës të panjohur, por ka edhe raste kur kemi me kryerës të njohur”, thuhej në përgjigjet e Policisë së Kosovës drejtuar Gazetës Express.
Ndryshe, vjedhja është e dënueshme edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Në bazë të këtij Kodi, kryesi i kësaj vepre mund të dënohet deri në tre vjet burg.
Sipas Nenit 313 të Kodit Penal, ‘Kushdo që personit tjetër ia merr pasurinë e cila vlerësohet në shumën prej pesëdhjetë (50) Euro apo më shumë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet.’
Ndërsa, nëse vlera e pasurisë së vjedhur është më pak se pesëdhjetë euro kryesi dënohet ose me gjobë ose me burg deri në gjashtë muaj.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës
Dënim më i lartë iu shqiptohet atyre që kryejnë veprën penale “vjedhje e rëndë”.
Sipas Nenit 315, dënimi për këtë vepër sillet nga 3 deri në 7 vjet.
Dënimi për këtë vepër mund të shkojë deri në 10 vjet, nëse pasuria apo shërbimi i vjedhur ka vlerë mbi pesëmijë Euro, pasuria e vjedhur shërben për qëllime fetare ose është vjedhur nga ndërtesa fetare apo ndërtesa tjetër që shërben për mbajtjen e ceremonive fetare; pasuria e vjedhur ka vlerë kulturore, fetare apo historike; ka rëndësi të posaçme shkencore, teknike apo artistike.
Dënim me 10 vite burgim shqiptohet edhe nëse pasuria është vjedhur nga varri; pasuria e vjedhur është armë; kryesi ka pasur me vete armë apo mjet tjetër të rrezikshme; ose kryesi ka vepruar si anëtar i grupit dhe nëse kryesi ka kryer veprën penale me qëllim të kryerjes së një vepre terrorizmi sipas nenit 128 të këtij Kodi.