Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave që funksionon në kuadër të Gjykatës Speciale e ka përgatitur për gjykatësin raportin e plotë për 19 persona që janë paraqitur si viktima të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë. Kjo zyrë e ka dorëzuar listën e plotë të aplikuesve në cilësinë e viktimave, duke specifikuar rastet për të cilat ata janë paraqitur, dokumentacionin të cilin e kanë plotësuar,dhe dokumentacionin i cili iu ka munguar, raporton Gazeta Express.
Në raportin që shefi i Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave, Silke Studzinsky, ia ka dorëzuar gjykatësit Nicolas Guillou më 15 janar, thuhet se vetëm pesë persona të paraqitur pretendojnë se kanë qenë viktima të ndonjë krimi që përfshihet në aktakuzën e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specaializuar. Ata, janë të gjithë të nacionalitetit serb. Pjesa tjetër e të paraqiturve si viktima, përfshirë edhe gjashtë shqiptarë, nuk kanë arritur t’ia dëshmojnë kësaj zyre se vendi dhe koha e ngjarjes ku ata pretendojnë se ishin viktima, lidhet me ndonjë krim që përshkruhet në aktakuzë.
“Vetëm Viktimat 01/06, 02/06, 03/06, 04/06 dhe 05/06 pretendojnë se kanë pësuar dëm si rezultat i një krimi specifik të pretenduar në Aktakuzë. Parashtruesit e mbetur nuk kanë vërtetuar se vendi dhe koha e ngjarjeve të përcaktuara në Aplikimet e tyre korrespondojnë me një krim të pretenduar në aktakuzën e konfirmuar. Prandaj, ato Aplikime ose duhet të refuzohen ose t’u kërkohen informacione të mëtejshme atyre”, thuhet në raportin e ZPV-së.
https://drive.google.com/file/d/1bIkx5nsd6fAI0cK2KAIoqPsaFJfSocmL/view
Kjo zyrë thekson se është e mjaftueshme që një aplikim të identifikojë “çdo ngjarje që mund të përbëjë një krim të pretenduar në Aktakuzën e Konfirmuar që ka ndodhur ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në territorin e Kosovës dhe veriut të Shqipërisë me mbështetjen ose autorizimin e anëtarëve të UÇK-së”.
Gjashtë shqiptarët që janë paraqitur si viktima, kanë paraqitur raste të ndryshme ku pretendojnë se kanë qenë viktima të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Njëri është paraqitur si viktimë e një vrasjeje në vitin 1997, tre të tjerë janë paraqitur për ndalimin, arrestimin dhe zhdukjen e burrit/babait, ndërsa dy të tjerë për vrasjen e vëllait.
Pesë serbët të cilët Zyra për Pjesmarrjen e Viktimave thotë se rastet të cilat i kanë përmendur përfshihen në aktakuzë, kanë pretenduar se kanë qenë viktima të rrëmbimit, torturave, paraburgimit të paligjshëm e trajtimit mizor.
Katër serbë tjerë kanë pretenduar të kenë qenë viktima të ish-krerëve të UÇK-së në raste të rrëmbimit, torturave, paraburgim të paligjshëm, trajtim mizor e zhdukje. Mes tyre, një grua serbe ka pretenduar se ish-krerët e UÇK-së janë përgjegjës për zhdukjen e burrit të saj, ndërsa një tjetër është paraqitur për vrasjen e babait të saj.
Në raport janë paraqitur edhe aplikimet e disa personave që nuk kanë treguar nacionalitetin e tyre. Tre prej këtyre kjanë paraqitur për vrasjen e një familjari të tyre, i cili thonë se u identifikua nga UNMIK-u.
ZPV e ka njoftuar gjykatësin Nicolas Guillou se ka kërkuar domentacion nga personat e paraqitur si viktima.
“ZPV kërkoi informacion / dokumentacion shtesë nga Viktimat-01/06 deri në
05/06, Viktima-08/06, Viktima-12/06, Viktima-14/06, Viktima-16/06 deri 18/06 dhe Viktima19 / 06. Viktimat-01/06 deri 05/06 dhe Viktimat-16/06 deri 18/06 u kontaktuan përmes tyre avokatët, të cilët i ndihmuan ata me kërkesat, ndërsa aplikantët e tjerë ishin kontaktuar direkt”, thuhet në parashtresë.
Kjo zyrë thekson se garantimi i sigurisë së viktimave ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe për një proces të suksesshëm të pjesëmarrjes së viktimave para Gjykatës Speciale.
“Viktimat do të aplikojnë dhe marrin pjesë në procedurë vetëm nëse do të ndihen të sigurt në veprimin e tillë. Shqetësimet për një klimë të rrezikshme frikësimi të dëshmitarëve dhe viktimave në Kosovë dhe fakti që Kosova është një vend i vogël, ku jetojnë njerëzit e komunitetet e ngushta dhe të Akuzuarit kanë ndikim të madh, lidhje, burime dhe struktura mbështetëse, ndikojnë në të gjitha viktimat që aplikojnë për pjesëmarrje. Bërja e kërkesës për pjesëmarrje në procedurë si viktimë përbën jo vetëm rrezik stigmatizimi por edhe i hakmarrjes dhe dhunës nga anëtarët e tjerë të komunitetit, veçanërisht për ata aplikantë që jetojnë në Kosovë dhe aplikantët që ende kanë familje në Kosovë”, thuhet në këtë raport.
Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Zyra e Prokurorit të Specializuar i akuzon ata edhe se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.