Është mbajtur sot mbledhja e parë e Komisionit të Posaçëm për parandalimin e koronavirusit, i formuar dje nga qeveria e Kosovës.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur në raportimin e tij se aktualisht 15 raste janë të dyshuara me koronavirus në Kosovë, dhe që po presin rezultatet.
“Para gjysmë ore kam marrë raportin e ri. Nga data 8 shkurt, deri sot janë testuar gjithësej 93 mostra, dhe të gjitha kanë rezultuar negative.
IKSHP ka marrë informata edhe për 15 raste të dyshimta me COVID 19. Pacientët pasi u kontrolluan, po presim që në orët e para të pasdites të dalin rezultatet”, ka thënë Vitia.
Ai në pika të shkurtëra ka treguar se cilat janë masat e ndërmarra deri tani nga institucionet, shkruan lajmi.net.
Ai ka thënë se gjatë këtyre ditëve të gjitha mekanizmat kanë punuar me intensitet të shtuar.
“Ministria e Shëndetësisë, gjithë këto ditë po punon me kapacitet të shtuar në bashkëpunim me institucionet relevante. Unë shpreh falënderimin për përpjekjet ndaj ministrisë së Shëndetësisë për koronavirusin.
Pas vendimeve të marra nga qeveria, institucionet e ngarkuara me këtë planë kanë ndërmarrë hapa konkret për të zbatuar këto vendime, për të pezulluar mësimin, fuqizimin e kontrollit të udhëtarëve në pikat kufitare, pezullimin e linjave ajrore dhe tokësore, masa për mbrojtje dhe dezinfektim të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike e privat”, tha ai.
Po ashtu, Vitia ka bërë të ditur se deri tani janë testuar 93 persona për koronavirus, por që të gjitha kanë dalë negative.
Ndërkaq, në kufi deri tani janë kontrolluar mbi 5 mijë udhëtarë.
“IKSHP po ashtu ka krijuar qendrën e thirrjeve, ku e ka vënë në funksion edhe numrin me pesë linja për këshillimin e qytetarëve se si të mbrohemi nga koronavirusi. Deri sot në Kosovë janë testuar 93 raste, në pikat kufitare janë kontrolluar mbi 5 mijë udhëtarë”, ka shtuar ai.