Që nga fillimi i pandemisë, 1 mijë e 450 persona kanë vdekur si pasojë e infektimit me Covid-19 në Kosovë. Numri total i rasteve pozitive nga 13 marsi i vitit të kaluar është 57 mijë e 696, prej tyre 50 mijë e 731 janë shëruar, ndërsa numri i i rasteve aktive është 5 mijë e 515.
IKSHPK të shtunën njoftoi se në 24 orët e fundit janë shënuar 379 raste pozitive, kanë vdekur tre persona dhe janë shëruar 244 të tjerë.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.733 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 379 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 3 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Kamenicë 1 rast (82 vjeç), Pejë 1 rast (82 vjeç), Prishtinë 1 rast (90 vjeç)”, njoftoi IKSHPK.
Ndërkohë, numri i të vdekurve si pasojë e koronavirisut në Kosovë të shtunën ka shkuar në 1 mijë e 450.
“Numri total i rasteve pozitive është 57.696 raste nga 218.142 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.450 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 244 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 50.731 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5.515”, thuhet në raportin e fundit të IKSHPK-së.