Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar sot një raport me temë “Kapitull i ri i dialogut Kosovë-Serbi?”, ku i rekomandohet Qeverisë së Kosovës që sa më parë të hartojnë një platformë dhe strategji për dialogun Kosovë-Serbi, e ku do të detajoheshin më mirë kërkesat e Kosovës në këtë proces, vijat e kuqe e synimet përfundimtare.
Violeta Haxholli nga KDI tha se hartimi i një platforme të tillë do të mund të jetë edhe një mënyrë e mirë për të arritur një konsensus të gjerë politik për dialogun Kosovë-Serbi.
Në këtë konferencë u tha se çështja e dialogut me Serbinë ka qenë sfidë për secilën qeveri dhe pavarësisht që Qeveria Kurti tentoi ta vë poshtë në listën e prioriteteve, kjo temë “di si të ngjitet lartë sërish”.
“Do të jetë një temë e qeverisë aktuale dhe me dashje apo pa dashje do të trajtohet tema e dialogut”, u tha në këtë konferencë, raporton Telegrafi.
Sipas përfaqësuesve të KDI-së janë diku 35 marrëveshje nga fillimi i procesit të dialogut, prej tyre 21 marrëveshje bazë dhe tjerat plane të zbatimit.
“Qeveria e re ende nuk ka treguar si do t’i qaset atyre”, u tha më tej.
Sipas përfaqësuesve të KDI-së, efektet e dialogut kanë të shumta, ku në planin e brendshëm kanë prodhuar mospajtime të spektrit politik.
Edhe pse dialogu është në fazën finale, arritja e marrëveshjes përfundimtare duket të jetë ende larg sipas Haxhollit, pasi kërkesat e palëve në proces janë të kundërta.
Haxholli tha se për përmbylljen me sukses të procesit të dialogut, Qeveria duhet përveç koordinimit me presidenten e vendit, edhe të synojë një konsensus të gjerë politik në vend.