Partitë politike nesër nisin edhe zyrtarisht fushatën pesëditore për të parin e Komunës së Podujevës.
Nexhmi Rudari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Naim Fetahu i Partisë Demokratike të Kosovës janë në garë që të marrin mandatin afatshkurtër deri në zgjedhjet e ardhshme komunale 2021.
Kohë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që fushata për zgjedhjet lokale në Podujevë të fillojë më 23 nëntor dhe të zgjasë deri më 27 nëntor.
Votimet për Podujevë mbahen pasi që kryetari i kësaj komune Agim Veliu u emërua në postin e ministrit të Brendshëm të Qeverisë së Kosovës. Ato ishin paraparë të mbahen më 15 mars, por për shkak të epidemisë me koronavirus ato u shtyn për 29 nëntor.
Zgjedhjet për kryetar të kësaj komune do të mbahen më 29 nëntor, kur do të votohet edhe për kryetar të Mitrovicës së Veriut.
Sipas vendimeve të presidentit të Kosovës për shpalljen dhe caktimin e datës së zgjedhjeve, organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve për kryetar në Podujevë dhe Mitrovicë Veriore duhet të bëhet në koordinim dhe bashkërendim me institucionet përkatëse në pajtim me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Kosovës.
KQZ ka marrë vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore, në të cilat kufiri i sipërm i shpenzimeve për subjektet politike në Komunën e Podujevës është 43.931 euro. Ky vendim mbështetet në listën preliminare të regjistrit civil sipas të cilit në këtë komunë numri i votuesve të regjistruar është 87.863 votues.
Ndërsa në Mitrovicën e Veriut, numri i votuesve të regjistruar është 23.180. Kjo komunë ka qenë pa kryetar që nga qershori i këtij viti, kur Goran Rakiq u zgjodh ministër i Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale, duke dhënë kështu dorëheqje nga posti i kryetarit dhe ish-zëvendësi i tij, Aleksandar Spiriq mori ushtrimin e detyrës zyrtare.