Një person nga Mitrovica është ftuar sot për intervistë nga policia, pasi përmes Facebook-ut kishte bërë thirrje që të digjet zyra e presidentit dhe ajo e kryetares së Gjykatës Kushtetuese.
Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress, avokati Musa Damati.
“Klienti im me inicialet G.M. është ftuar për intervistim para pak minutave nga Policia e Kosovës, si i dyshuar për veprën penale ‘Thirrje për rezistencë, bazuar në nenin 403 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës’”, ka thënë Damati.
Sipas tij, kjo ka të bëjë me dyshimet rreth një komenti të klientit në rrjetet sociale, që dyshohet se ka aluduar në djegien e zyrës së presidentit të Kosovës dhe të kryetares së Gjykatës Kushtetuese, pas vendimit të kësaj të fundit pro dekretit të presidentit për formimin e qeverisë së re.
Në anën tjetër, edhe Avni Zahiti, zëdhënës i policisë për rajonin e Mitrovicës, ka konfirmuar ftesën për intervistë nga ana e policisë.
“Po, personi është ftuar nga policia, por që akoma nuk ka ardhur. Ai ka thënë se shpejt do të paraqitet në polici”, sqaroi shkurt për KosovaPress Zahiti.
“Më në fund erdhi dita populli me e kall zyrën e presidentit Thaçi dhe Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi-Rama. Nëse populli së bënë këtë gjë, atëherë jemi njerëzimi më analfabet, më frikacak, më tradhtar e më i korruptuar në Ballkan” kishte shkruan G. M. në mesazhin e tij.