Qeveria franceze ka dënuar një letër të hapur të nënshkruar nga ushtarë aktivë dhe ish-gjeneralë, në të cilën thuhet se Franca është duke shkuar drejt luftës civile për shkak të ekstremizmit fetar.
Rreth 1 mijë ushtarë e ushtare, përfshirë rreth 20 gjeneralë të dalë në pension, e nënshkruan këtë letër, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Në letër fajësohen të ashtuquajturit “partizanë fanatikë” për krijimin e përçarjeve mes komuniteteve dhe thuhet se islamistët janë duke marrë nën kontroll pjesë të tëra të territorit të vendit.
Ministrat francezë e dënuan letrën e publikuar në një revistë djathtiste. Letra u publikua për herë të parë më 21 prill, pikërisht në 60-vjetorin e një puçi të dështuar.
Politikania e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, e cila është kandidate në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, ka folur në përkrahje të ish-gjeneralëve.
Por ministrja e Forcave të Armatosura, Florence Parly, paralajmëroi se ushtarët që ende janë aktivë dhe që e kanë nënshkruar këtë letër do të ndëshkohen për shkeljen e ligjit që nga ta kërkon neutralitet politik.
Në letër, qeveria franceze akuzohet se po mundohet që ta përdorë policinë si kurban duke i shtypur në mënyrë brutale protestat e jelekverdhëve. Presidenti Macron, qeveria e tij dhe ligjvënësit paralajmërohen për “disa rreziqe vdekjeprurëse” që e kërcënojnë Francën.
Anëtarët e forcave të armatosura franceze, qofshin duke shërbyer në mënyrë aktive apo rezervistë, e kanë të ndaluar që të shprehin opinione publike rreth fesë dhe politikës.