Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti tha sot gjatë një takimi me degën e LDK-së në Viti, se qeverisja lokale në këtë komunë është ndër më të mirat.
“Vetëm LDK-ja ka mundur të prijë me këto procese, siç është menaxhimi me pandeminë, duke u renditur në mesin e vendeve që kanë menaxhuar më së miri me pandeminë, përkundër shumë sfidave me infrastrukturën shëndetësore”, tha kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti.
Ai theksoi se, vendi është gjetur i mbyllur dhe i lënduar, por kanë hapur dyert me Brukselin, Uashingtonin dhe të gjitha kryeqendrat botërore.
“Vetëm me vizionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës kemi arritur të përmbushim ëndrrën e presidentit historik, Ibrahim Rugova, që orientimi ynë të mbetet perëndimi dhe miqësia e përhershme me SHBA-të dhe BE-në”, tha Hoti.
Ai bëri thirrje për mobilizim të fuqishëm të strukturave, anëtarësisë dhe gjithë qytetarëve për të mos e ndërruar kursin pro-perëndimor, thuhet në një komunikatë për media.