Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka zbardhur ditën e mërkurë vendimin e pezullimit të gjyqtares Enkelejda Kapedani. Kjo e fundit, gjatë periudhës së pezullimit ka shërbyer si kryegjyqtare në detyrë të gjykatës së Elbasanit.
Në shkresë shkruhet që edhe pse KLGJ e konsideron faktin që videot personale të magjistrates janë publikuar në mediat sociale, vizive dhe ato online, institucioni do të duhet të trajtojë ligjërisht rastin dhe të ndërmarrë, nëse është vendi, veprimin ligjor përkatës.
KLGJ kërkon pajtimin e një eksperti të IT, që të vlerësojë nëse videot janë publikuar apo jo prej gjyqtares.
Por Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vlerësuar se hetimi disiplinor nuk është i mjaftueshëm për të arritur në një konkluzion të drejtë dhe të rregullt mbi procedimin disiplinor të filluar ndaj magjistrates.
Ndërsa për të konkluduar që shkelja disiplinore e atribuuar magjistrates ka ndodhur dhe, më tej, për rëndësinë e saj, shkallën e fajësisë, motivet, etj, çmon mjaft të rëndësishëm verifikimin e faktit nëse videot personale të magjistrates, të regjistruara nëpërmjet telefonit celular të saj sikurse ajo pranon, janë publikuar ose jo prej saj.
Nëse po, rrethin e personave që u ka krijuar akses për shikimin e tyre, për të kuptuar kështu nëse magjistratja ka dëshiruar të shfaqej në atë mënyrë përpara të tretëve dhe në enventualitet përpara publikut të gjerë apo kjo ka ngjarë nga pakujdesia e saj (qoftë dhe nga mosmarrja e masave të duhura) ose keqdashja e dikujt, siç ajo pretendon.
Për verifikimin e këtij fakti është i nevojshëm marrja e mendimit të një eksperti në fushën e teknologjisë së informacionit, provë kjo e lejueshme në kuptim të Ligjit për Statusin, çka për të cilën nga ana tjetër, kërkohet edhe bashkëpunimi i magjistrates së proceduar disiplinarisht.
Eksperti do të duhet të verifikojë dhe të sjell të dhëna për kohën dhe mënyrën e realizimit të videove nga magjistratja, aplikacionin e përdorur nga ajo, si dhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre, ku janë publikuar ato fillimisht dhe nga kush.
Hetimi i Enkeleda Kapedanit
Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), Artur Metani, më 31 maj urdhëroi nisjen e hetimeve disiplinore kundrejt kryetares së Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani.
Ky vendim erdhi bazuar te videot që ka postuar kryetarja në median sociale, TikTok. Aty, magjistratja shfaqej duke treguar veshjet e saj dhe ambientin e punës.
Kapedani ka mohuar të ketë llogari në TikTok dhe se videot i janë shpërndarë qëllimisht nga dikush tjetër, për t’i denigruar figurën.
Enkeleda Kapedani nuk është emër i papërmendur në media pasi, në dhjetor të 2019, ajo u bë qendra e diskutimeve kur u lirua nga burgu, Viktor Ymeri, një nga njerëzit më problematikë në Vlorë.
Dorëheqja e Gjyqtares
Gjyqtarja Kapedani, e cila u bë e njohur për shkak të videove që shpërndante në llogarinë e saj në platformën TikTok, dha dorëheqjen nga posti i nënkryetares së Gjykatës së Elbasanit, pothuajse një javë pas publikimit të videove.
Ky vendim vjen në kohën kur në Këshillin e Lartë Gjyqësor tanimë ka nisur seanca dëgjimore lidhur procedimin disiplinor, me qëllim shkarkimin e saj.
Pas dorëheqjes, Kapedani ka deklaruar se po bëhet “kokë turku” dhe i ka bërë thirrje Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë që “të zhvishet nga emocionet”, në raport me të.
Më tej, ajo ka vlerësuar se shijet e saj muzikore “nuk kanë ndikuar në ushtrimin e detyrës” dhe se asnjë nga veprimet e saj nuk lidhej me detyrën zyrtare që ajo ushtron.
Për më tepër, gjyqtarja ka theksuar se ka pasur një agjendë për shkatërrimin e karrierës së saj, mirëpo nuk ka dhënë asnjë adresë për këto akuza.