Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut në Niger e ka akuzuar ushtrinë e këtij shteti afrikan për ekzekutimin e dhjetëra civilëve gjatë operacioneve kundër grupeve militante.
Ky komision tha se i ka gjetur mbi 70 trupa në gjashtë varreza masive në Tillaberi, që shtrihet në pjesën veriperëndimore të vendit dhe që është prekur nga dhuna e xhihadistëve, shkruan BBC
Besohet se vrasja e këtyre civilëve ka ndodhur më herët gjatë këtij viti. Njëri nga hetuesit tha se civilët janë vrarë me armë të mprehta dhe armë të vogla të zjarrit.
Grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut i kanë akuzuar ushtritë e Nigerit, Malit dhe Burkina Fasos për kryerjen e dhjetëra ekzekutimeve jashtëgjyqësore gjatë fushatave kundër xhihadistëve dhe grupeve të tjera të armatosura në rajonin Sahel.
Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut në Niger ishte duke i hetuar dyshimet se 102 civilë janë zhdukur në rajonin me trazira mes datave 27 mars dhe 2 prill pas një operacioni ushtarak.
“Vërtet ka pasur ekzekutim të civilëve të paarmatosur dhe misioni i ka gjetur së paku 71 trupa në gjashtë varreza masive”, tha Abdoulaye Seydou, president i Rrjetit Panafrikan për Paqe, Demokraci dhe Zhvillim, që mori pjesë në hetime.
Autoritetet e Nigerit ende nuk kanë reaguar zyrtarisht në lidhje me gjetjet e këtij grupi.