Presidenti Hashim Thaçi është duke marrë pjesë në dialogun publik “Rruga drejt Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë”.
Ai këtu ka folur edhe për vizitën e tij zyrtare në SHBA dhe takimin me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Jemi të angazhuar për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë që duhet të sjell njohjen e ndërsjellë si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Takimi i Uashingtonit, dy ditë më parë në mes pres të dy vendeve besoj se do të jetë moment i kthesës kritike dhe pozitive”, ka thënë Thaçi, njofton Klan Kosova.
“Takimi në Uashington është inkurajues për të dy palët, i vullnetit të mirë për Kosovën dhe Serbinë dhe hapjen e perspektivës euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”.
“Këtë momentum dhe këtë mundësi nga Uashingtoni duhet ta shfrytëzojmë edhe Kosova edhe Serbia. Dëshiroj të theksoj se është e rëndësisë jetike për procesin e arritjes së marrëveshjes përfundimtare që edhe Kosova edhe Serbia kanë besim në lidershipin e SHBA-së se përmes tyre mund të arrihet marrëveshja përfundimtare”.
Thaçi ka thënë se kjo marrëveshje do të ndikojë edhe në themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.
“Kemi punuar me drejtësinë ndërkombëtare dhe vendore që të vendosim drejtësi, ku nuk mund ta kalojë zhgënjimin tim të thellë me drejtësinë ndërkombëtare që ka dështuar t’i ndjek krimet. Megjithatë për të ndërtuar paqe institucionet e Kosovës kanë vazhduar të punojnë me drejtësinë ndërkombëtare”.