Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykimin dënues ndaj dy të pandehurve me inicialet L.U dhe A.K për veprën penale “grabitje”.
Gjykata secilit veç e veç iu shqiptoi dënimin me burgim prej pesë vjetësh, duke iu llogaritur edhe koha e kaluar në burg dhe gjobë me nga 1 mijë euro.
“Me datë 29.12.2019, rreth orës 11:33 minuta ne fshatin Cërrcë, Komuna Istog, me qellim që vetit t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme me mjete të rrezikshme dhe atë nja sëpatë dhe thikë kanë sulmuar të dëmtuarin R.M, në atë mënyrë që derisa viktima R.M kishte qenë vetëm në shtëpi, të pandehurit të maskuar me maska në kokë fshehën në bodrumin e viktimës dhe me të vërejte që viktima po hynë në bodrum, fillimisht i pandehuri A.K me një dru e godet viktimën në kokë ku nga kjo goditje viktima rrëzohet për tokë dhe për një çast viktima humb vetëdijen, e pastaj me urdhrin e të pandehurit L i pandehuri A ia lidh duart me një litar dhe që të dy të pandehurit duke i bërë presion nën kërcënimin e një thike dhe sëpate pronë e viktimës, kërkojnë nga viktima paratë dhe çelësat e veturës, ashtu që të pandehurit nga viktima marrin çelësat e veturës dhe veturën, 110 euro dhe dhjetë 10 franga zvicerane dhe një pushke gjuetie dhe ikin nga vendi i ngjarjes, mirëpo të njëjtit me datë 30.12.2019 hetohen nga policia të cilët ju vihen në ndjekje dhe në dalje të qytetit të Gjakovës për shkak të shpejtësisë së madhe të pandehurit rrokullisen me veturën e viktimës dhe dalin jashtë rrugës së asfaltuar, policia gjatë kontrollit të veturës gjejnë dhe sekuestrojnë një pushke gjuetie, një maskë dhe një thikë të cilat janë përdorur me rastin e grabitjes tek i dëmtuari R.M “- njofton Gjykata Themelore në Pejë.
“Nëse të pandehurit dënimin me gjobe të cekur si më lartë nuk e paguajnë në afat të caktuar, atëherë dënimin me gjobë gjykata do ta zëvendësoj me dënim burgu duke iu llogaritur një ditë burgim për çdo 20 euro të gjobës. Të pandehurve iu vazhdohet paraburgimi pas shpalljes se aktgjykimit, deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit por jo më gjate se dënimi i shqiptuar. Të pandehurit secili veç e veç u obliguan që në emër të shpenzimeve të procedurës penale të paguajnë gjykatës shumën prej 25 euro dhe ne emër te paushallit gjyqësor shumën prej 25 euro dhe shumën prej 50 euro në emër të kompensimit për viktimat e krimit, në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Të pandehurve ju konfiskuan një brisk, thika bashkë me mbështjellës të kartonit dhe te njëjtat pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit të shkatërrohen “.
Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzuar në kontest civil.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.