Incidentit që ndodhi sot në Prishtinë, ku mbeti i plagosur një person dyshohet se i parapriu një konflikt verbal mes të dyshuarve dhe viktimës. Ky i fundit u sulmua dhe u qëllua me armë zjarri nga të disa të dyshuar.
Media mëson ekskluzivisht se njëri nga personat e përfshirë në plagosjen e Pajtim Gashit është Shkumbim Sekiraqa rreth 20 vjeçar, djali i Salih Sekiraqës.
Ky i fundit është një nga emrat e njohur për organet e rendit, për shkak të të kaluarës së tij kriminale. Herën e fundit ishte arrestuar nëntorin e vitit të kaluar për armëmbajtje pa leje.
Media raportoi sot po ashtu ekskluzivisht se personi që u plagos me armë zjarri ishi i riu Pajtim Gashi, i cili dyshohet se fillimisht është sulmuar në kokë e pastaj është qëlluar me armë në këmbë.
Gashi – sipas sinjalizuesve është anëtar i familjes së njohur si “Capat”.
Media mëson nga burimet brenda Emergjencës se gjendja e tij stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.
Ndryshe, personat e dyshuar që janë përfshirë në këtë rast janë arratisur nga vendi i ngjarjes me një veturë të tipit ‘Audi’ e kuqe.
Ndërkohë tashmë kanë dalë edhe pamjet se si ndodhi rasti, aty shihet se si u riu u rrah dhe me pas u qëllua me armë zjarri.
Në vendin ku ndodhi ngjarja, zyrtarët policorë kanë gjetur rreth 5 gëzhoja, që dyshohet se janë të armës që u përdor.
Ndërkohë, lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë Rajonale në Prishtinë, Flora Ahmeti, e cila tha se Policia ka intervenuar dhe po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.
“Rreth orës 10:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para raportohet për një person të lënduar, i cili dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.