Mbi 10 milionë Euro rezulton t’i ketë pasur fitim bruto gjatë viteve 2018 dhe 2019 kompania e derivateve “Ex Fis”, nga monopoli për furnizim me kerozinë në aeroport, e që po ia mundëson kompania turke LIMAK e cila ka në koncesion Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Miliona Euro të tjera nga ky monopol po i përfiton vetë LIMAK, e cila po e tarifonë kompaninë e derivateve për çdo litër të shitur në aeroport, shumë fish më shumë se sa parashihet me marrëveshjen që LIMAK ka me shtetin e Kosovës për koncesionimin e Aeroportit “Adem Jashari” dhe në kundërshtim me rregulloren e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës. Shteti me vite ka heshtur ndaj këtij monopoli. Njëjtë po ndodh edhe tash. Derisa kosovarëve krejt kjo po u kushton me çmimet më të larta të biletave të fluturimit, krahasuar me secilin vend në rajon, shkaku se kerozina është pothuajse kostoja kryesore e një fluturimi për kompanitë avio-fluturuese.
10 centë më shumë nga shitja e çdo litre të kerozinës tek aviokompanitë, del se ka përfituar LIMAK nga “Ex Fis”, gjatë viteve 2018 dhe 2019. Krejt kjo në kundërshtim me Marrëveshjen për Partneritet Publiko Privat në Aeroportin e Prishtinës (PPP), që parasheh se LIMAK-Aeroporti të përfitojë vetëm 2 centë si tarifë ndaj operatorit që ofron shërbime për furnizim me karburante.
Aeroporti që menaxhohet nga kompania turke LIMAK ka përfituar nga 12 centë nga shitja e çdo litre të kerozinës, tregojnë të gjeturat e hulumtimit të Gazetës Online ‘Reporteri.net’. Për më tepër, kompania “Ex Fis”, e cila ua shet kerozinën avio-kompanive që operojnë në Aeroportin e Prishtinës operon prej vitesh me monopol. Nëse deri në vitin 2018 i është mundësuar monopoli me rregullore, nga ky vit bazuar në rregulloren nr. 4/2011, e plotësuar me rregulloren nr. 5/2019 të AACK-së, LIMAK është i obliguar nga shteti ta liberalizojë tregun, gjë që nuk ka ndodhur.
Shifrat e gjetura nga Gazeta Online ‘Reporteri.net’ gjatë hulumtimit, tregojnë se ky monopol po u sjell përfitime milionëshe në vit të dy kompanive në fjalë.
Kompania kosovare e derivateve, “Ex Fis”, rezulton se vetëm gjatë vitit 2018 kishte shitur 19,25,879 litra derivate kerozinë në Aeroportin e Prishtinës. Derisa, një vit më vonë shitja në litra e kerozinës shkoi deri në 21,982,661. Konvertuar në para, Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka gjetur të dhëna zyrtare se fitimi bruto i “Ex Fis” për shërbimet/operimet brenda Aeroportit të Prishtinës, në vitin 2019 rezultuan në mbi 5.7 milionë Euro. Derisa, një vit më vonë në 2019, u deklaruan mbi 6.1 milionë Euro fitim bruto vetëm nga operimet në aeroportin e Prishtinës.
E LIMAK përmes tarifës 12 centë për litër, në kundërshtim me marrëveshjen me Qeverinë e Kosovës për marrjen në koncesion të Aeroportit “Adem Jashari” dhe rregulloren e AAC-së, nga monopoli i “Ex Fis” përfitoi hiq më pak se mbi 2.3 milionë Euro në vitin 2018, e mbi 2.6 milionë Euro tjera një vit më vonë, në vitin 2019 kur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës u rrit për 9.6% fluksi i udhëtarëve.
Monopoli i furnizimit me kerozinë në Aeroportin e Prishtinës
Mbi 2.1 milionë udhëtarë, sipas të dhënave zyrtare, e frekuentuan Aeroportin e Prishtinës në vitin 2018. Në përqindje, 14.61 më shumë sesa në vitin paraprak, 2017. Rritje për 9.6% më shumë të udhëtarëve në Aeroportin “Adem Jashari” rezultoi se pati në vitin 2019. Përkthyer në numra, mbi 2.3 milionë udhëtarë në total gjatë gjithë vitit.
Kalimi i frekuentimit nga mbi 2 milionë udhëtarë në vit të Aeroportit të Prishtinës, çoi Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës në plotësimin dhe ndryshimin e rregullores nr. 4/2021 për qasjen në tregun e shërbimeve në tokë në aeroport.
Me rregulloren 5/2019, e nënshkruar më 14 gusht 2019, tregu i operatorëve ekonomik që plotësojnë kushtet teknike, financiare dhe të sigurisë për ofrimin e shërbimeve në Aeroport u liberalizua.
“Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” tashmë ka kaluar pragun e 2 mil. udhëtarëve dhe sipas rregullores nr. 4/2011, e plotësuar dhe ndryshuar me rregulloren nr. 5/2019, dhe kërkesave të Bashkimit Evropian, ka hyrë në mesin e aeroporteve në të cilat duhet të operojnë më shumë operatorë ekonomik për ofrimin e shërbimeve për të gjitha kategoritë e shërbimeve të cilat kanë të bëjnë me trajtim të udhëtarëve, mallrave dhe dërgesave dhe aeroplanëve”, thuhej në njoftimin e gushtit të vitit 2019.
Megjithatë, kjo rregullore nuk u zbatua kurrë nga LIMAK, kompania turke që ka në koncesion Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës.
Gazetës Online ‘Reporteri.net’, gjatë hulumtimit për monopolin e kerozinës në aeroport, të paktën dy kompani derivatesh në Kosovë ia kanë shprehur shqetësimet dhe pengesat për liberalizim të tregut për ofertimin e këtij shërbimi në ANP. Madje janë ngritur edhe pretendime të llojllojshme rreth këtij monopoli, por të cilat nuk janë përfshirë në hulumtim.
Por, ka qenë vetë Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës, si organ Rregullues i mbikëqyrur nga Ministria e Infrastrukturës, që në disa raste të ndryshme, deklarativisht ka pohuar se “Ex Fis” ka monopol të furnizimit me kerozinë në Aeroportin e Prishtinës, i mundësuar nga vetë LIMAK, në kundërshtim me rregulloren e plotësuar nga ta në vitin 2019.
Si rrjedhojë, në fillim të këtij viti, AAC-ja nxori edhe një vendim mbi qasjen në tregun e shërbimeve në tokë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, për liberalizimin e këtij tregu, bazuar në direktivën n.96/67/EC e transpozuar në rendin ligjor përmes Rregullores së AAC-së nr. 4/2011 të ndryshuar dhe plotësuar me Rregulloren nr.5/2019.
Sikur, edhe vetë rregullorja, edhe vendimi i AAC-së asnjëherë deri më sot nuk u zbatua.
“Ex Fis” dhe “LIMAK”, deri në publikimin e hulumtimit nuk është përgjigjur në interesimin e Gazetës Online ‘Reporteri.net’ në lidhje me këtë monopol, duke u injoruar pyetjet e dërguara me e-mail, dy herë gjatë javës së shkuar.
Të heshtur ndaj këtij monopoli deri më tani po qëndrojnë edhe Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës, përkundër insistimit të gazetës për të marrë sqarime përmes pyetjeve të dërguara disa herë me e-mail, gjatë javës që lamë pas.
Rreth këtij monopoli, të paktën një herë zyrtarisht rezulton se është njoftuar direkt Ministri i Infrastrukturës, qershorin e vitit 2020, e që në atë kohë këtë pozitë e mbante ish-ministri Arban Abrashi. Aktualisht, kjo ministri drejtohet nga Ministri Liburn Aliu, i partisë së Kryeministrit Kurti.
Monopoli i kërozinës dhe 12 centëshi i çdo litri për LIMAK-un që po u kushton shtrenjtë xhepave të udhëtarëve
Aksidenti tragjik në Kroaci, me 10 mërgimtarë kosovarë të vdekur në Slovanski Brod, derisa sa po udhëtonin me autobus nga Gjermania për në Kosovë, ka kthyer serish vëmendjen tek çmimet e larta të biletave të fluturimit përmes Aeroportit të Prishtinës.
Biletat për fluturim nga Aeroporti i Prishtinës, krahasuar me aeroportet tjera në rajon, janë dukshëm më të larta.
E pikërisht monopoli i kerozinës që LIMAK ia ka mundësuar kompanisë “Ex Fis” e regjistruar në pronësi të biznesmenit Isa Muharremi, sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, po shkakton çmimet e larta të biletave që ofrojnë aviokompanitë.
Kostoja kryesore e një fluturimi llogaritet të jetë furnizimi me derivate, përkatësisht me kerozinë.
Tarifa 12 centë në litër e aplikuar nga Aeroporti për kompaninë “Ex Fis” të cilës po ia mundëson monopolin, ndikon direkt në rritjen e çmimit me të cilën avio-kompanitë e blejnë kerozinën nga e vetmja kompani me të drejtë të shitjes së derivateve në Aeroport.
Rrjedhimisht, koston e kësaj e paguajnë në fund të fundit udhëtarët përmes biletave më të shtrenjta fluturimi në rajon.
Bujar Ejupi, Drejtor i AACK-së, më 27 korrik 2020 u kishte dërguar një letër Komitetit për Partneritet Publiko Provat, ku ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me monopilon në furnizim me kerozinë dhe tarifën prej 600% më të lartë të aplikuar nga LIMAK për çdo centë të kerozinës që “Ex Fis” e shet në Aeroportin e Prishtinës.
Marrëveshja në mes të LIMAK dhe Qeverisë së Kosovës, për dhënien në koncesion të Aeroportit të Prishtinës, parasheh që tarifa në fjalë e aplikuar nga kompania turke të jetë 02 centë për litër, ndërsa në praktikë aplikohet 12 centë.
Megjithatë, as AACK-ja gjatë javës së shkuar nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës Online ‘Reporteri.net’ për sqarime shtesë në lidhje me shqetësimet dhe pretendimet e tyre të ngritura prej vitesh për monopol të kerozinës dhe aplikim të tarifës 12 centë nga LIMAK për çdo litër të saj, në kundërshtim me marrëveshjen që kompania turke ka me shtetin e Kosovës.
Qeveria krejt e heshtur përballë këtij monopoli
Kosova nga marsi i këtij viti ka një qeveri që haptas i ka “shpallur luftë” çfarëdo monopoli në vend. Të paktën po, sa Kryeministri aktual dhe partia e tij kanë qenë në opozitë.
Nder veprimet e 100 ditëshit të parë të Qeverisë me kryeministër Albin Kurtin ka qenë ndërprerja e monopolit të homologimit, si një zotim i kamotshëm i tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Megjithatë, Qeveria e Kosovës po hesht, të paktën karshi interesimit të Gazetës Online ‘Reporteri.net’ në lidhje me monopolin e kerozinës.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës nuk ka kthyer asnjë përgjigje në një grumbull pyetjesh e kërkesë sqarimi në lidhje me monopolin e kompanisë së derivateve “Ex Fis” në aeroport dhe tarifën e LIMAK ndaj saj në kundërshtim me marrëveshjen e kompanisë turke me shtetin kosovar.
Përgjigje e sqarime në pyetjet e gazetës nuk kanë dhënë as në Ministrinë e Infrastrukturës, përkundër se monopoli dhe aplikimi i tarifës 600% më e lartë për çdo litër kerozinë të shitur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, është denoncuar e alarmuar kohë pas kohe nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës që monitorohet nga kjo ministri.
Madje, edhe vetë AAC-ja ka heshtur këtë herë në interesimin e Gazetës Online ‘Reporteri.net’, sikurse edhe LIMAK e kompania e derivateve “Ex Fis” të cilat gjithashtu nuk kanë marrë mundin të përgjigjen në pyetjet e gazetës.