Një përleshje fizike mes tre personave ka ndodhur të hënën në Prishtinë, ku gjatë rrahjes një person ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit.
Policia njofton se rasti ka ndodhur në rrugën “Bedri Shala”, rreth orës 10:00.
“Rr. Bedri Shala, Prishtinë / 04.03.2024 – 10:00. Një mashkull kosovar ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që janë shkrepur në drejtim të tij nga persona të panjohur”, thuhet në raportin policor.
Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një fishek dhe disa gëzhoja. Rasti i cili është iniciuar si “Vrasje në tentativë / Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, është duke u hetuar.
Ndërsa, rast i njëjtë ka ndodhur edhe rreth orës 21:42 në rrugën “Shaip Spahiu”.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se deri sa ka qenë me veturë, tre persona të panjohur nga vetura e tyre në lëvizje–pa targa, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, dhe janë larguar në drejtim të panjohur”, thuhej më tej në raport.
Përveç dëmeve materiale të shkaktuar në veturë, nuk raportohet për lëndime në njerëz. Rasti vazhdon të hetohet.
Po ashtu, raportohet se në të njëjtën kohë në rrugën “Bedri Shala”, ankuesi kosovar ka raportuar se dy ose tre persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të objektit ndërtimor, me ç’rast një predhë kishte mbetur në korridorin e këtij objekti.
“Njësitet policore pasi kanë dalë në vendin e ngjarjes kanë gjetur e konfiskuar edhe një fishekë dhe një gëzhojë cal-7.6 mm. Të lënduar nuk ka, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin. Lidhur me ngjarjen është informuar e konsultuar edhe prokurori. Rasti në proces hetimi”, ka njoftuar policia.
Jo zyrtarisht mësohet se të shtënat me armë zjarri ndërlidhen me përleshjen fizike dhe plagosjen e ndodhur në mëngjes në kryeqytet.