Adil Behramaj, këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, është prishur me Shtetet e Bashkuara për përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Behramaj ka shkruar në Facebook se tarifën prej 100 për qind Kurti e hoqi në koordinim më të, dhe jo me Amerikën.
“Kryediplomati i BE-së, Josep Borell, ishte përfolur gjithmonë si “kumbara” i krijimit të kësaj Qeverie. Kurti ishte prishur me Amerikën për Borellin.
Edhe tarifën 100 për qind e hoqi në koordinim me të dhe jo me Amerikën. Më shumë i besonte Borellit dhe emisarit të tij sesa amerikanëve për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.
Anonte nga Borelli sa herë që përmendej Grenelli. Injoronte Uashingtonin sa herë që përmendej Brukseli.
Në Shtëpinë e Bardhë, sipas Kurtit, na prisnin me “thika mbi harta””, është shprehur Behramaj.
“Por, i ashtuquajturi “kumbara” i kësaj Qeverie, miku i Kurtit, tash vetë po e promovon idenë e korrigjimit të kufijve”, ka thënë ai.
“Dhe, Kurti duhet të na tregojë se ku i kanë fshehur “thikat dhe hartat”? Me gjasë “thikat” i kanë fshehur në Spanjë e Sllovaki dhe “hartat” mënjanë diku në Bruksel!”, ka shkruar këshilltari i Thaçit.