Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, pasditen e sotme, i është sulmuar llogaria e saj në Facebook, shkruan Reporteri.
Sipas MPJD-së, ky sulm kibernetik ndaj llogarisë së saj vjen pas reagimit që kishte sot ndaj deklaratave tendencioze të Aleksandër Vuçiqit, ish ministër dhe bashkëpunëtor i afërt i Sllobodan Millosheviqit, i cili kërcënoi hapur me luftë të re në Ballkan të gjitha shtetet fqinje të rreshtuara me NATO-n, duke thënë se Serbia duhet të vazhdojë forcimin ushtarak.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë se janë në proces për ri-kthimin e llogarisë së Ministres Haradinaj.
Gjatë ditës, Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e ka quajtur ”këlysh të Rusisë” presidentin serb, Aleksander Vuçiq, i cili bashkë me Moskën zyrtare po tentojnë ta minojnë stabilitetin dhe paqen në rajon.
Ky reagim i ministres kosovare erdhi pasi Vuçiqi ka thënë se Serbia po përgatitet ushtarakisht pasi që një konflikt i ngrirë mund të eskalojë papritur, njësoj siç ka ndodhur mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.