Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, i është drejtuar me një letër të gjatë kreut të kësaj partie, Lumir Abdixhikut, ku ka shprehur pakënaqësitë lidhur me zgjedhjet për kryetar dege në Podujevë.
Sipas tij, në krye të degës së LDK’së në Podujevë, është një kryetar i paligjshëm, duke aluduar kështu për Ekrem Hysenin.
Veliu ka thënë se “Lumiri dhe grupi i tij” duhet të marrin përgjegjësi për “vendimin antistatutar, të paligjshëm dhe përçarës për Degën e Podujevës”.
“Lumiri mund të marrë përgjegjësi sa të dojë, por nuk mund të amnistohet humbja në Podujevë e kandidatit të emëruar nga ai, të veshur me të gjitha kompetencat për të zgjedhur shtabin, listën e kandidatëve për asamblistë, autonomi të plotë në bërjen e fushatës, financimin marramendës të fushatës…
Ti Lumir dhe Kryesia që drejton do ta mbani përgjegjësinë e plotë para anëtarësisë për pasojat e instalimit të një kryetari të paligjshëm në Degën e LDK-së”, ka shkruar Veliu.
Ai i ka drejtuar edhe disa pyetje kreut të LDK’së.
“Lumir, pse nuk u organizua asnjë takim i Kryesisë së Degës dhe Komisionit për vlerësim të gjendjes ne Dege pas zgjedhjeve? Pse nuk prite një raport për gjendjen në Degë? Pse gjithë ajo nguti e mobilizim që gjatë natës të thirret një kuvend për të zgjedhur një kryetar, pa kryesi?”, kanë qenë pyetjet e Veliut për Abdixhikun.