Që nga qershori i këtij viti, Kosova vazhdon të jetë nën masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, të cilat iu vendosën pas trazirave që u shkaktuan në 4 komunat e veriut për shkak të fillimit të punës së kryetarëve të zgjedhur më 23 prill.
E hapat që i ndërmori shteti ynë për de-përshkallëzimin e situatës në veri të vendit, nuk po vlerësohen si të mjaftueshëm për heqjen e masave nga vendet anëtare të BE-së.
Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, Zoï MULETIER zëdhënëse e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, tha se Kosova ka ndërmarr hapa në drejtim të duhur për de-përshkallëzim, por që ende ka punë për të bërë.
Kjo është theksuar edhe në Raportin e Progresit për Kosovën që u publikua të mërkurën.
“Do t’ju referonim në raportin e publikuar dje, ku thuhet qartë se
“Për shkak të mungesës së hapave vendimtarë për deeskalim dhe në përputhje me deklaratën e 3 qershorit, BE-ja po zbaton një sërë masash ndaj Kosovës, të cilat ndikojnë edhe në mbështetjen financiare. Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme, në varësi të hapave të ndërmarra për de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës. Kosova ka ndërmarrë hapa në drejtimin e duhur, por mbetet ende për të bërë”, thuhet në përgjigjen e BE-së për gazetën “Bota sot”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit që pati më 26 qershor me udhëheqësit evropian në Bruksel, tha se është i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe draftin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit, por se pala tjetër nuk është.
“Presidenti i Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023”, thuhet në komunikatën e lëshuar më 26 tetor nga Qeveria e Kosovës.
Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të BE-së pavarësisht sulmit terrorist të 24 shtatorit, kur Policia u sulmua nga grupe të armatosura serbësh nga të cilët mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Ndërkaq, përveç një rezolute të miratuar nga Parlamenti Evropian, ndaj Serbisë ende nuk është ndërmarr asnjë masë ndëshkuese si përgjegjëse për këtë sulm.