Minatorët e Trepçës, që nga dje, kanë hyrë në grevë për shkak që akoma nuk i kanë marrë pagat e muajit të kaluar.Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani, në Edicionin Special në Klan Kosova ka treguar më shumë detaje lidhur me grevën e punëtorëve.Ai ka thënë po ashtu se punëtorët e Trepçës që kanë punuar gjatë gjithë kohës së pandemisë kanë qenë të rrezikuar, por një gjë të tillë e kanë bërë për të mos e ndalë prodhimin.
“Arsyeja e grevës është paga, pasi nuk janë paguar pagat për muajin e kaluar. Dje nuk ka punuar ndërrimi i dytë dhe i tretë, derisa sot i janë bashkangjitur edhe ndërrimi i parë. Të gjithë kanë hyrë në grevë dhe kanë kërkuar prej kryeshefit dhe Qeverisë së Kosovës që të bëjnë një zgjidhje”.
“Ne si sindikatë dhe punëtorë e kemi ditur që jemi në krizë për shkak se pandemia na ka goditur, por nëse krahasohet nëntëmujori i vitit të kaluar dhe ai i vitit 2020 del se plani është realizuar për 28 për qind më shumë. Ne kemi qenë të goditur prej pandemisë prej muajit të dytë deri në muajin e tetë dhe nëntë, prandaj kemi kërkuar prej qeverisë që në këtë kohë krize të na ndihmojnë.
Ne jemi e vetmja ndërmarrje publike që nuk e kemi reduktuar numrin e punëtorëve. Kemi punëtorë deri në moshën 64 vjeçare që punojnë punë të rënda, sepse për shkak të specifikës së punës ne nuk mund të punojmë pa njëri-tjetrin. Kemi punuar pa mjete mbrojtëse dhe pa u testuar, pra të rrezikuar kemi qenë të gjithë, por nuk e kemi ndalur prodhimin për të mos kërkuar lëmoshë nga askush”.Sa punëtorë janë në grevë?
“Trepça me flotacion i ka diku 770 punëtorë, por krejt kombinati janë diku 1300-1400 punëtorë, pasi në grevë janë edhe punëtorët e Kishnicës, fabrika e procesit dhe të tjera.
Pagat i marrim 1500 vetë dhe zakonisht duhet t’i marrim nga data 5 deri më 10 kur është edhe data që shumica e punëtorëve paguajnë këstet e kredisë. Goditja më e madhe është nëse pagat nuk jepen me kohë, sepse punëtorët nuk e kanë problem që e kanë punën e vështirë, por e kanë vazhdimisht pagën brengë”.
Osmani ka thënë se nëse nuk plotësohet kërkesa e tyre, Këshilli Grevist do të vendosë për hapat e mëtutjeshëm.“Sot është krijuar Këshilli Grevist prej vetë punëtorëve dhe kanë vendosur që nesër të presin një përgjigje prej qeverisë, ndoshta pozitive. Nëse nuk jepet përgjigje, ndoshta marrin edhe masa të tjera. Këshilli Grevist vendos se çka do të bëhet tutje”.