Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më datën 29.09.2020 kanë ndaluar disa persona në Prishtinë dhe gjatë kontrollit të tyre janë gjetur armë, të cilat ishin përdorur gjatë një ahengu.
“Policia në mbrëmjen e datës 29.09.2020 ka pranuar një informatë, të cilën e ka trajtuar dhe ka arritur të zbulojë disa pamje në rrjete sociale, ku në një lokacion në rajonin e Prishtinës (në një aheng në fshatin Prapashticë) kishte pasur gjuajtje me armë zjarri nga disa persona të dyshuar. Policia, duke ndërmarrë veprime të menjëhershme, ka realizuar një plan taktik, duke vendosur disa ‘pika kontrolli për automjete’ në lokacione të ndryshme, ku janë ndaluar disa vetura dhe janë kontrolluar disa persona. Të njëjtit dyshohej se po vinin nga ahengu që ishte mbajtur në fshatin Prapashticë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas Policisë, janë konfiskuar katër armë të shkurta, janë kontrolluar dhe verifikuar njëzet persona, që ishin në vetura, pjesëmarrës në ahengun në fjalë.
Po ashtu PK-ja bën të ditur se dyshohet që një veturë me qëllim të shmangies së kontrollit policor ka shfrytëzuar një rrugë alternative, me ç’rast edhe është aksidentuar.
Ndërkaq, edhe organizatori i ahengut është shoqëruar për në stacionin policor “Veriu”, të cilit i është shqiptuar tiketë për shkelje të Ligjit COVID-19.
“Lidhur me rastin është kontaktuar prokurori i DKR në PTH Prishtinë, i cili ka urdhëruar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.