Krahas situatës më pandeminë COVID-19, Kosova po përballet edhe me një krizë të re politike pas rrëzimit të Qeverisë muajin e kaluar. Lëvizja Vetëvendosje, kërkon që Qeveria e shkarkuar të mbetet në detyrë dhe menjëherë pas pandemisë të shkohet në zgjedhje të reja, por të gjitha partitë e tjera parlamentare janë shprehur në favor të krijimit të një qeverie të re – pa zgjedhje.
Madje presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar “hapa kushtetues” këtë javë, ndërkohë që LDK është shprehur e gatshme të bëj qeverinë, nëse presidenti u jep mandatin. Jashtë këtyre zhvillimeve politike duket se po qëndron Partia Demokratike e Kosovës, e cila nuk dëshiron të jetë pjesë e një qeverie të re.
Refuzimi i Albin Kurtit për të tentuar formimin e një koalicioni të ri qeverisës duke se po sjell formimin e një tjetër koalicioni, LDK-AAK-AKR.
Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi thotë se, cilido të jetë koalicioni që do të sjellë formimin e qeverisë së re, ata do të qëndrojnë në opozitë. I pyetur nga gazetarja e Euronews Albania, Bruna Çifligu nëse do të votonin Isa Mustafën për kryeministër dha këtë përgjigje:
“Isa Mustafën nuk do ta votojmë si dhe nuk do të votojmë asnjë parti që krijon qeveri.
Nuk do të votojmë asnjë qeveri që nuk do të udhëhiqet nga PDK. Kemi pritur që z. Kurti do të lëvizë në pajtim me Kushtetutën dhe do të tentojë krijimin e një shumice të re. Pas kësaj vjen një tentativë e re, por ne sërish ne do të jemi në opozitë”, u shpreh z. Krasniqi.
Ndërkohë duke folur për takimin e thirrur nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ku z. Krasniqi ishte i vetmi përfaqësues politik jashtë VV-së pasi partitë e tjera e bojkotuan, nënkryetari i Kuvendit tha se gjatë diskutimeve nuk pati asnjë propozim apo kërkesë dhe e cilësoi takimin propagandë.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Kuvendit lë të kuptohet se, PDK mbështet idenë e formimit të një qeverie të re pa shkuar në zgjedhje, pasi thotë se nuk duhet të krijohet vakum.
“Problemi është i z. Kurti në radhë të parë, pasi duke qenë kryeministër ka qenë refuzues në bashkëpunim me opozitën por edhe brenda koalicionit që me veprimet e tij e shkatërroi. Ne si opozitë kemi luajtur rolin tonë dhe me propozime konkrete.
Qëndrimi i PDK ka qenë i qartë që nga rezultati i zgjedhje dhe ne do të jemi parti opozitare.
Kemi një qeveri që ka një rol kujdestarie dhe nuk ka legjitimitet për të vepruar me kapacitete të plota legjislative, pasi nuk ka të drejtë të propozojë ligje në Parlament”, deklaroi z. Krasniqi.